Cemil Tugay takohet me nënkryetarin Dushi, diskutohet thellimi i bashkëpunimit me Izmirin
Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Cemil Tugay, ka vizituar sot Prishtinën, ku është pritur nga nënkryetari i Kryeqytetit, Florian Dushi.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Izmirit, si dhe për mundësinë e realizimit të projekteve dhe nismave të përbashkëta në fusha me interes për të dy qytetet.
Fokus i veçantë iu kushtua kulturës, promovimit të traditave dhe trashëgimisë së përbashkët, ndërsa u vlerësua se shkëmbimet kulturore dhe institucionale mund të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve mes qytetarëve të dy qyteteve.
Në takim u theksua edhe rëndësia e komunitetit me prejardhje nga Kosova që jeton në Izmir, i cili u cilësua si një urë e rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë.
Nënkryetari Dushi falënderoi Tugayn për vizitën dhe shprehu gatishmërinë e Kryeqytetit për të vazhduar komunikimin dhe për ta konkretizuar bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe Izmirit.