Gërvalla: Metush Krasniqi, ëndërrimtari i madh i lirisë së Kosovës

Gërvalla: Metush Krasniqi, ëndërrimtari i madh i lirisë së Kosovës

Aktuale August 19, 2026 - 15:36

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së heroit të kombit, Metush Krasniqi.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e Krasniqit në qëndresën dhe organizimin politik shqiptar për lirinë e Kosovës.

"Në një kohë kur liria e Kosovës ishte ende ideal i ndjekur me burg, përndjekje, dhunë, terror dhe sakrificë, ai i dha këtij ideali formë politike, organizim dhe qëndresë. I përkiste asaj tradite të madhe të mendimit politik shqiptar që nuk u pajtua me robërinë, që e ruajti të gjallë vetëdijen kombëtare dhe që besoi se e ardhmja e Kosovës duhej të ndërtohej me vullnetin dhe sakrificën e vetë popullit të saj. Kjo ishte madhështia e Metush Krasniqit, të mendonte përtej kohës në të cilën jetonte dhe të vepronte për një liri që ai vetë mund të mos e shihte. Ai, ëndërrimtari i madh i lirisë së Kosovës", shkroi Gërvalla.

Sipas saj, Krasniqi dhe brezi i tij e mbajtën të gjallë idealin e lirisë së Kosovës në një periudhë kur ky ideal shoqërohej me burgosje, përndjekje dhe sakrificë.

“Ai dhe brezi i tij nuk e patën Kosovën që ëndërruan. Por e patën guximin ta kërkonin. E mbajtën gjallë idealin kur kushtonte shtrenjtë ta mbaje. E bartën atë nga një brez te tjetri, derisa ëndrra e tyre u bë realitet”, shkroi Gërvalla.

Ajo tutje ka theksuar se trashëgimia e Metush Krasniqit shkon përtej kujtesës historike, duke e cilësuar atë pjesë të themelit mbi të cilin është ndërtuar vetëdija politike, kombëtare dhe shtetërore e Kosovës.

Gërvalla ka nderuar figurën e Metush Krasniqit, duke e cilësuar atë një prej bartësve qendrorë të traditës politike që, sipas saj, nuk u dorëzua para historisë.