Tri kompani transporti do t’i pezullojnë nga nesër disa linja nga Fushë-Kosova drejt Prishtinës

Tri kompani transporti do t’i pezullojnë nga nesër disa linja nga Fushë-Kosova drejt Prishtinës

Aktuale August 18, 2026 - 15:02

Tri kompani transporti nga Fushë-Kosova kanë njoftuar se, për shkak të vështirësive të mëdha financiare dhe rritjes së shpenzimeve operative, nga 19 gushti 2026 do të pezullojnë përkohësisht shërbimin e transportit në katër linja drejt Prishtinës.

Bëhet fjalë për linjat: Graboc – Prishtinë – Graboc, Harilaq – Prishtinë – Harilaq, Henc – Prishtinë – Henc, Miradi e Epërme – Prishtinë – Miradi e Epërme.

Në njoftimin e përbashkët, kompanitë theksuan se vendimi është marrë për shkak të pamundësisë për të përballuar shpenzimet e karburantit dhe kostot e tjera operative.

Ato kanë theksuar se banorët e këtyre lokaliteteve, në komunën e Fushë-Kosovës, varen çdo ditë nga këto linja për të udhëtuar drejt Prishtinës dhe anasjelltas.

Kompanitë kanë bërë të ditur se para marrjes së vendimit u janë drejtuar institucioneve kompetente për të kërkuar një zgjidhje për vazhdimin e shërbimit.

Ato shpresojnë që kërkesa të merret seriozisht dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje, në mënyrë që transporti të rikthehet në funksion.