PDK-ja me kërkesë të re drejtuar Deharit: Seanca konstituive të thirret për nesër
Foto: Laura Hasani

PDK-ja me kërkesë të re drejtuar Deharit: Seanca konstituive të thirret për nesër

Aktuale August 17, 2026 - 13:04

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka adresuar një kërkesë të re për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në dokumentin e siguruar nga “Zëri”, sekretarja e përgjithshme e këtij subjekti politik, njëherësh edhe deputete e Kuvendit, Vlora Çitaku, i është drejtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke kërkuar vazhdimin e seancës për më 18 gusht, në orën 11:00.

Në kërkesën e saj, Çitaku thotë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë që, sipas saj, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me veprimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo pretendon se vazhdimi i procedurave pa tejkaluar këtë situatë do të përbënte shkelje të mëtejshme të Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës.

“Duke pasur parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet, shkelje e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, thuhet në kërkesën e Çitakut.

Ajo i është drejtuar Deharit duke i thënë se, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive, ka për detyrë të shmangë çdo shkelje të mëtejshme dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Çitaku vlerëson se roli i kryesuesit është që të ruajë kushtetutshmërinë e procesit dhe se tejkalimi i kompetencave politike do të mundë të ndikonte në vazhdimin e procesit të konstituimit.

Në kërkesë thuhet gjithashtu se vlerësimet dhe negociatat politike duhet të zhvillohen brenda kornizës kushtetuese dhe se të gjitha partitë janë të obliguara ta respektojnë atë.

Kërkesa e Çitakut vjen në kohën kur vazhdon ngërçi politik për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja. /Zëri

Image

Image