Haziri i përgjigjet LVV-së: Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK-ja ju largohet nga bashkëpunimi
Foto: Laura Hasani

Haziri i përgjigjet LVV-së: Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK-ja ju largohet nga bashkëpunimi

Aktuale August 14, 2026 - 15:29

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike dhe tërheqjes së partisë së tij nga negociatat për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Haziri ka thënë se situata brenda LVV-së është kontroverse, duke iu referuar deklaratave të kryetarit të saj, Albin Kurti, për ofertën që i është bërë LDK-së.

“Se sa është kontroverse situata brenda LVV-së pasqyrohet nga deklaratat e kryetarit të saj. Deri dje tha se ‘po lypin shumë e nuk ju jap’, ndërsa sot tha se ‘po ju ofroj shumë e janë tërheq’”, ka shkruar Haziri.

Ai ka theksuar se LDK-ja është tërhequr nga procesi i bashkëpunimit, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e partisë për një president konsensual.

“LDK-ja ka dalë dje nga procesi i bashkëpunimit si ofertë drejt shkaktimit të proceseve politike. Ne e mbajmë fjalën për president konsensual, por konstituimi i Kuvendit është hapi kryesor për me pasë president dhe qeveri”, ka deklaruar ai.

Haziri ka paralajmëruar se largimi i LDK-së nga bashkëpunimi do të ketë pasoja politike për ata që e kanë shtyrë këtë proces.

“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK-ja ju largohet nga bashkëpunimi. Kthehu prapa dhe e gjeni vetën shpejt”, ka shkruar ai.

Në fund, Haziri ka thënë se LDK-ja ka kaluar edhe procese më të vështira politike dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të interesit të Republikës.

“Ne e kemi paguar çmimin tonë. Kemi përballu procese edhe më të rënda se kjo. LDK ka qenë dhe mbetet besë e shpresë për këtë Republikë!”, ka përfunduar Haziri.

Reagimi i Hazirit vjen një ditë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se partia tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeverisje dhe do të qëndrojë në opozitë. /Zëri