Rama: Ukraina gabon për Kosovën, por e drejta për liri mbetet e padiskutueshme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas qëndrimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për Kosovën, duke thënë se Ukraina gabon në këtë çështje, por se e drejta e saj për liri mbetet e padiskutueshme.
Në një postim në platformën X, Rama iu referua deklaratës së Zelenskyt dhe reagimeve që pasuan në Tiranë dhe Prishtinë.
“Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe nuk do ta njohë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm në Tiranë dhe Prishtinë tashmë po nxirrnin kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të ndalojmë së mbështeturi të lirët dhe së vajtuari për të bombarduarit”, ka shkruar Rama.
Kryeministri shqiptar ka thënë se disa prej tyre e kanë kritikuar Shqipërinë për faktin se nuk ka hequr dorë nga mbështetja për Ukrainën, ndërsa disa të tjerë, sipas tij, kanë mbështetur Rusinë.
“Më të pamaturit mes tyre hodhën gurë ndaj nesh pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë! Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me kthim parash”, ka shkruar Rama.
Rama ka theksuar se qëndrimi kundër një lufte agresioni dhe në favor të një paqeje të drejtë nuk duhet të varet nga qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës.
“Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në favor të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një favor që shkëmbehet me një favor, por është ajo që je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të trazuar”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se Shqipëria nuk llogarit “se kush i ka borxh kujt”, por qëndron në anën e lirisë, demokracisë dhe paqes.
“Fatmirësisht, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që llogarit se kush i ka borxh kujt, por Evropa e Ballkanit që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj”, ka shkruar Rama.
Në fund, Rama ka thënë se Ukraina është gabim në qëndrimin e saj ndaj Kosovës, por se kjo nuk e ndryshon të drejtën e saj për liri.
“Ukraina mund të jetë, dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Evropën dhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të qëndrojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja”, ka shkruar Rama.
“Pra, po: UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë”, ka përfunduar ai.