16 shtatori në Hagë, interesim rekord për aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së
Interesimi për të ndjekur nga afër seancën e 16 shtatorit në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka qenë jashtëzakonisht i madh.
Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve në galerinë e publikut dhe numrit të lartë të kërkesave për pjesëmarrje fizike, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se u është dashur kohë shtesë për shqyrtimin dhe konfirmimin e tyre.
“Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve në galerinë për publikun dhe numrit shumë të madh të kërkesave për pjesëmarrje në këtë seancë, procesi i shqyrtimit kërkon kohë. Sikurse është bërë me dije në lajmërimin e parë, konfirmimi me postë elektronike do të dërgohet jo më vonë se dy javë përpara seancës. Në atë kohë, të gjithë ata që kanë dërguar kërkesë brenda afatit do të marrin përgjigje, në të cilën konfirmohet nëse pjesëmarrja e tyre është e mundur apo jo, bashkë me çdo informacion tjetër relevant”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara.
Më 16 shtator, në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, do të shpallet aktgjykimi në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.