Rama: Ukraina e ka gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Serbi, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.
Rama ka kritikuar reagimet e disa zërave në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët, sipas tij, pas deklaratës së Zelenskyt kërkuan që të ndërpritet mbështetja për Ukrainën.
Ai i ka cilësuar këto reagime si “turp”, duke theksuar se mbështetja për një vend që përballet me luftë nuk duhet të kushtëzohet nga përfitimet apo qëndrimet që ai vend ka për çështje të tjera.
“Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me kthim shpërblimesh”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, qëndrimi kundër agresionit dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk mund të ndryshojë për shkak të një deklarate që mund të zhgënjejë.
“Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një favor që këmbehet me një favor tjetër, por është ajo që je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të rrëmujshme”, ka deklaruar ai.
Rama ka thënë se Shqipëria duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, pavarësisht qëndrimit të Kievit ndaj Kosovës.
“Ukraina mund të jetë — dhe po, është — gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Evropën dhe për veten tonë”, ka shkruar kryeministri shqiptar.
Ai ka theksuar se këto dy qëndrime, mbështetja për Ukrainën dhe kritika ndaj qëndrimit të saj për Kosovën, mund të bashkëjetojnë.
“Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja”, ka shkruar Rama.
Në fund, ai e ka përmbyllur reagimin me një mesazh të qartë në mbështetje të Ukrainës:
“LIRI PËR UKRAINËN. Sot, nesër dhe gjithmonë.”
My dear friend Volodymyr Zelensky stood in Belgrade and said Ukraine has not changed its position and will not recognize Kosova. Within the hour, the loudest folk nationalists in Tirana and Pristina were already reaching for the geopolitical calculator: perhaps we should punish…
— Edi Rama (@ediramaal) August 13, 2026