Gashi: Kuvendi po shkon drejt përplasjeve fizike, koha që LDK-ja të flasë
Foto: Laura Hasani

Gashi: Kuvendi po shkon drejt përplasjeve fizike, koha që LDK-ja të flasë

Aktuale August 12, 2026 - 14:34

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke paralajmëruar se tensionet po rriten dhe se situata po shkon drejt përplasjeve fizike.

Përmes një reagimi, Gashi ka thënë se krahas insistimit për bllokimin e punës së Kuvendit, në këtë moment kritik po mungon edhe një qëndrim i qartë i LDK-së.

“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon. Në këtë moment kritik, po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së”, ka shkruar Gashi.

Ai ka thënë se Kosovës po i mungon roli i LDK-së dhe “fryma Rugoviane”.

“Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane. Sepse kur institucionet bllokohen dhe tensionet rriten, Kosovës i duhet më shumë dialog, maturi, shtet dhe Republikë”, deklaroi ai.

Në fund, Gashi i ka bërë thirrje partisë së tij që të reagojë për situatën aktuale.

“Është koha që LDK-ja të flasë”, përfundoi ai. /Zëri