Deliu pas zhvillimeve në Kuvend: PDK-ja s’do t’i ndalë veprimet për kthimin e rendit kushtetues
Foto: Laura Hasani

Deliu pas zhvillimeve në Kuvend: PDK-ja s’do t’i ndalë veprimet për kthimin e rendit kushtetues

Aktuale August 12, 2026 - 13:55

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka deklaruar se kjo parti do të vazhdojë veprimet politike dhe institucionale për, siç tha ajo, kthimin dhe ruajtjen e rendit kushtetues në vend.

Deliu, pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, tha se aktualisht nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa kthimi në rendin kushtetues.

“Thirrja jonë është që të kthehet rendi kushtetues. Asgjë nuk ka më të rëndësishme sot se kthimi në rendin kushtetues. Ne po e mbyllim këtu sot, por do të vazhdojmë të jemi në Kuvend. Nuk do t’i ndalim veprimet tona politike, institucionale, demokratike, por edhe veprime të tjera, për ta ruajtur rendin kushtetues”, tha Deliu.

Ajo kritikoi zhvillimet e sotme në Kuvend, duke i cilësuar ato si “inskenime” dhe përpjekje për ta paraqitur situatën si normale.

“Sjelljet që sot i keni parë, inskenimet, përpjekjet për ta shndërruar këtë seancë në normalitet, janë thirrje kaotike. Sot Kuvendi ka nevojë për konstituim”, deklaroi ajo.

Sipas Deliut, situata aktuale po rrezikon stabilitetin institucional të Kosovës.

“Po shkunden themelet e shtetit të Kosovës. Nuk guxon askush ta mbyllë parlamentin, nuk guxojnë që dyert të mbyllen. Ne do të jemi këtu edhe nesër, do të jemi këtu çdo ditë. Aksionet tona ligjore, kushtetuese, politike nuk do të mungojnë për ta kthyer Kosovën në binarët e saj dhe stabilitetin në vend”, tha deputetja e PDK-së.

Image