Kurti: Mërgata nuk është vetëm kujtesë e atdheut, por kapacitet
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen zyrtare të edicionit të dhjetë të programit dyjavor, arsimor dhe kulturor, për të rinjtë nga mërgata OriginAL, të organizatës GERMIN.
Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti foli për rolin jetik të mërgatës dhe kontributin e jashtëzakonshëm e të vazhdueshëm të saj. Teksa theksoi rëndësinë që ka lidhja e gjeneratave të reja në diasporë me vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tyre, ai përmendi mundësitë që krijojnë programe si OriginAL.
“OriginAL lindi në vitin 2022 nga GERMIN dhe Global Albanians Foundation me një ide të thjeshtë, por të fuqishme: që të rinjve shqiptarë të diasporës t’u krijohet mundësia ta zbulojnë vetë prejardhjen e tyre, jo përmes historive të trashëguara apo hulumtimit të ADN-së, por përmes njerëzve, vendeve, kulturës, vullnetarizmit dhe përvojës së drejtpërdrejtë. Deri më sot, 278 të rinj e kanë kaluar këtë përvojë. Sonte, atyre u bashkoheni edhe ju, 42 pjesëmarrësit e gjeneratës së dhjetë, duke e çuar kësisoj në 320 numrin e të rinjve që janë bërë pjesë e OriginAL-it që nga viti 2022”, tha kryeministri.
Përtej numrave, ai shtoi se historiku i këtij programi është gjetja e rrënjëve, te miqësitë që kanë nisur këtu dhe kanë vazhduar përtej Atlantikut e Evropës.
“Shpresoj që pas këtyre dy javëve të kuptoni se: rrënjët nuk janë destinacion. Janë pikënisje. Nuk ka rëndësi vetëm prej cilës familje, cilit qytet apo cilit fshat vini. Rëndësi ka se çfarë do të bëni me atë lidhje pasi ta keni zbuluar. Sepse trashëgimia më e mirë që mund të marrim nga ata që erdhën para nesh nuk është detyrimi për t’u bërë si ata. Është përgjegjësia për ta çuar më tej atë që ata e nisën. Prandaj, gjeneratës së dhjetë të OriginAL-it u them: Gjeni rrënjët tuaja. Njihni historinë tuaj. Ndërtoni miqësitë tuaja. Dhe pastaj, ndërtoni edhe më tej mbi to.”
Teksa tha se mërgata nuk është vetëm kujtesë e atdheut, por kapacitet i atdheut, kapacitet ekonomik, profesional, shkencor, kulturor dhe diplomatik, kryeministri foli për politikat, veprimet dhe programet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për qytetarët e saj jashtë vendit.
“Diplomacia Qytetare sjell dijen. Shijo Kosovën ndërton lidhjen. Made in Kosova prezanton mundësinë. Dritarja për Investime shndërron mundësinë në investim. Pra: nga remitencat te investimet; nga investimet te transferimi i dijes; nga vizitat verore te angazhimi gjatë gjithë vitit; nga diaspora jashtë vendit te kapaciteti kombëtar në botë”, theksoi kryeministri Kurti.

