Mërgimtarët kërkojnë kompromis politik: Institucionet të funksionalizohen sa më shpejt
Mërgimtarët që po qëndrojnë në Kosovë gjatë sezonit të verës kanë vizituar sot Kuvendin e Kosovës, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën aktuale politike dhe vonesat në konstituimin e institucioneve.
Ata kanë bërë thirrje për tejkalimin e krizës politike dhe gjetjen e një kompromisi sa më shpejt, në mënyrë që vendi të rikthehet në funksionalitet dhe të vazhdojë përpara.
Jusuf Stublla i cili jeton në Gjermani tha se e përcjellin me shqetësim situatën politike në Kosovë, duke kërkuar që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt.
“Po neve të jashtit na dhemb. Nuk kemi komente sa keq ndihemi që nuk është Kuvendi i konstituuar. Ne kemi qejf sa më shpejt se Kosova po shkon mrapa, për çdo ditë. Koha nuk premton. Njerëzit janë zgjedhur njëherë me zgjedhje. Duhet sa më parë me u konstituuar. Njerëzit nuk duhet të kenë urrejtje mes veti, duhet të kenë dashni. Kjo po mungon, momentalisht po mungon. Partitë shqiptare në këtë mënyrë po e tregojnë kualitetin e dobët, se çdo parti do të thotë mendojnë ndryshe. E pse ka mendim ndryshe? Duhet me ardhur te konstituimi i mendimit. Albini është i zgjedhuri prej popullit, nuk e di pse po ka pengesa? Edhe kështu që mendoj që jemi optimistë që të arrijnë qëllimin e tyre sa më shpejt”, tha ai për Ekonomia Online.
Më kritik ishte Azem Lushtaku i cili jeton në Zvicër, tha se është i zhgënjyer me përfaqësuesit politikë dhe deklaroi se nuk sheh më arsye për t’i votuar ata.
“S’është mirë hiç askund, s’është mirë. Prej partive shqiptare me i largu të gjithë këta. Këta që janë këtu, s’ka prej tyre asgjë. Kush të arrijë marrëveshje, me kënd? Për mua këta s’janë deputetë asnjë. Kam votuar, s’votoj për askënd më hiç, s’ke për kë të votosh më. Këta veç për interesa të veta, për popull s’mendojnë aspak. Kjo qeveri që ka ardhur është shkatërruesja e Kosovës, populli se kuptoj pse s’dalin në protesta me e largu këtë qeveri të poshtër, përçarëse”, u shpreh ai.
Ndërkaq, Shefki Gashi nga Gjermania kërkoi që palët politike të gjejnë një kompromis, në mënyrë që institucionet të funksionalizohen sa më shpejt, duke theksuar se dëshira e tij është që Kosova të zhvillohet më tej.
“Çështjen politike e shohim në atë mënyrë, saqë nuk kemi çka shtojmë, as të japim më tepër deklarata ose mendime, megjithëse kërkojmë që sa është e mundshme, sa ma shpejt të krijohen institucionet e shtetit dhe të ecë puna më tutje mbarë dhe mirë Kosovës. Atëherë unë kisha kërkuar një unitet të përgjithshëm, një rrugë të mbarë të përgjithshme të zhvillimit të Kosovës dhe shtetit të Kosovës dhe mos të humbin kohë, por sa më parë që është e mundshme të bëhet një kompromis e një marrëveshje e përbashkët dhe të gjendet rruga. Atëherë dëshira imë e flaktë është që Kosova sa më shpejt t’ia arrijë dhe t’i bëjë institucionet e veta dhe të ecim para”, tha ai.
Sot është dita e dytë e vizitave të mërgimtarëve në kuvend, të cilat organizohen në kuadër të aktivitetit tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”, i cili ka filluar të hënën, më 10 gusht dhe do zgjasë deri të mërkurën, më 12 gusht. Vizitat zhvillohen çdo ditë nga ora 12:00 deri në 16:00. /eo