Bajqinovci: Besoj se LVV-ja dhe LDK-ja do të arrijnë marrëveshje, vendi s’duhet të shkojë në zgjedhje

Bajqinovci: Besoj se LVV-ja dhe LDK-ja do të arrijnë marrëveshje, vendi s’duhet të shkojë në zgjedhje

Aktuale August 07, 2026 - 13:12

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se pret që bisedimet ndërmjet LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të vazhdojnë dhe të përfundojnë me një marrëveshje politike, me qëllim që vendi të shmangë zgjedhjet e reja.

Ai tha se Vetëvendosja mbetet e interesuar për formimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe pret reflektim edhe nga partitë opozitare.

“Nuk e di, nuk kam diçka të konfirmuar ende, por besoj që takimet kanë me vazhdu edhe besoj që do të gjendet një zgjidhje. Ne jemi të hapur, e ka thënë edhe kryeministri dje në deklaratën e tij, që jemi shumë të interesuar që vendi mos shkojë zgjedhje dhe po besoj që opozita do të reflektojë dhe do ta kemi përbërjen komplete president, ne për qeveri kemi votat, edhe për kryetar të Kuvendit, por e kemi lënë hapur që të merremi vesh”, tha Bajqinovci.

I pyetur për afatin kushtetues dhe pasojat e mundshme pas mesnatës, Bajqinovci u shpreh se nuk pret ndonjë pasojë të menjëhershme dhe beson se ende ka hapësirë për një marrëveshje politike.

“Unë nuk besoj që edhe pas 12-ve ka ndonjë pasojë. Unë besoj që edhe ditëve në vazhdim do të ketë mundësi... Nuk besoj, nuk ka nevojë, por presim që të kemi marrëveshje politike dhe vendi mos shkojë zgjedhje”, deklaroi ai.

Deputeti i LVV-së nuk e përjashtoi mundësinë e takimeve të reja ndërmjet palëve, ndonëse tha se nuk ka informacion të konfirmuar për to.

“Nuk e di, nuk e mohoj, por mund të ketë. Takimet do të vazhdojnë, nuk duhet të ndalen dhe kryeministri e ka thënë këtë”, u shpreh Bajqinovci. /EO