Deda paralajmëron deputetët: Moskonstituimi i Kuvendit deri nesër është shkelje kushtetuese
Foto: Laura Hasani

Deda paralajmëron deputetët: Moskonstituimi i Kuvendit deri nesër është shkelje kushtetuese

Aktuale August 06, 2026 - 22:07

Analisti politik dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka reaguar ndaj vazhdimit të bllokadës institucionale, duke paralajmëruar se moskonstituimi i Kuvendit deri në afatin e paraparë përbën shkelje të rëndë kushtetuese.

Përmes një reagimi publik, Deda tha se vazhdimi i krizave politike nuk është normal, ndërsa theksoi se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri nesër në mesnatë, përgjegjësia bie mbi të gjithë deputetët e zgjedhur.

“Nëse deri nesër në mesnatë nuk konstituohet Kuvendi, atëherë TË GJITHË deputetët e zgjedhur bëjnë shkelje të rëndë kushtetuese. Por në Kosovën tonë nuk ka asnjë masë ndëshkimore për këtë, sepse njerëzve normalë nuk u ka shkuar mendja që diçka e tillë mund të ndodhë”, ka shkruar Deda.

Ai vlerësoi se nuk ekziston asnjë arsye për të zvarritur konstituimin e Kuvendit, veçanërisht në rrethanat kur Kosova nuk ka as ushtrues detyre të presidentit.

Sipas Dedës, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kohë të mjaftueshme për të arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje dhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

“LVV ka mundur që për dy muaj të merret vesh me LDK-në për bashkëqeverisje dhe për presidentin e ardhshëm. Nëse ka vullnet, dëshirë dhe seriozitet, mund të dakordohen edhe nesër”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Deda tha se çështja kryesore nuk duhet të jetë ndarja e posteve, por programi dhe politikat që do të ndjekë një qeveri e mundshme mes LVV-së dhe LDK-së.

Në fund, ai theksoi se Kosova nuk mund të mbetet peng i paaftësisë politike për zgjedhjen e presidentit.

“Pa marrë parasysh nëse do të ketë marrëveshje apo jo, Kosova nuk mund të mbetet peng i paaftësisë për zgjidhjen e presidentit. Askush, ama bash askush, nuk ua ka për borxh këtë fundosje të Kosovës”, ka përfunduar Deda.