Haradinaj ironizon Kurtin pas deklaratave për presidentin: “Mos lësho pe, Albin – krejt ose hiç”
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka ironizuar deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me nevojën për një dakordim të gjerë politik për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj i është drejtuar Kurtit me shprehjen “Krejt ose hiç”, duke aluduar në situatën aktuale politike dhe bllokimin e procesit të konstituimit të institucioneve.
“Mos lësho pe, Albin. Krejt ose hiç. Pak rëndësi ka çka mendojnë 1.5 milion banorë, plus ty të dojnë krejt”, ka shkruar Haradinaj.
Reagimi i tij vjen pasi Kurti, gjatë seancës konstituive të Kuvendit, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve me partitë parlamentare, duke thënë se vendit i nevojitet një marrëveshje sa më e gjerë për zgjedhjen e një presidenti unifikues.
Ndërkohë, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi emër për kryetar të Kuvendit, seanca konstituive u ndërpre dhe vazhdimi i saj pritet të caktohet në një datë tjetër.