Prokuroria në Serbi paraqet prova, pas arrestimit të një personi nën dyshime për krime lufte në Kosovë

Prokuroria në Serbi paraqet prova, pas arrestimit të një personi nën dyshime për krime lufte në Kosovë

Aktuale August 06, 2026 - 15:26

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se janë duke u përcaktuar faktet dhe duke u ndërmarrë veprime provuese lidhur me arrestimin e M.M., i dyshuar për veprën penale të krimit të luftës kundër popullsisë civile në Kosovë në vitin 1999.

M.M. u arrestua në pikën kufitare Horgosh, ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, tha më 2 gusht Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në njoftimin e MPB-së serbe u tha se burri dyshohet për krim lufte kundër popullsisë civile në fshatin Kllobukar, afër Novobërdës në Kosovë, në korrik të vitit 1999, ndaj dy personave.

MPB-ja serbe nuk e bëri publik emrin dhe as shtetësinë e personit të arrestuar, për të cilin tha vetëm se ka lindur në vitin 1981.

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë, në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, tha se në këtë fazë procedura penale nuk është publike dhe, për këtë arsye, aktualisht nuk mund të japë të dhëna konkrete.

Kur u publikua lajmi për arrestimin, avokati nga Kosova, Arianit Koci, shkroi në Facebook se autoritetet serbe kishin ndaluar shtetasin e Kosovës, Mentor Mustafa (44), nga fshati Jasenovik i komunës së Novobërdës.

Sipas tij, Mustafa u ndalua rreth orës 22:30 të 1 gushtit në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus nga Shtutgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën.

Koci tha se, sipas vëllait të Mustafës, i cili ishte i pranishëm gjatë ndalimit, autoritetet serbe kishin thënë se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar.

Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë ende informacione për këtë rast.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99.

Në Kosovë, po ashtu, viteve të fundit janë arrestuar dhjetëra serbë nën dyshime për krime lufte në Kosovë dhe disa raste kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.