OVL UÇK-ja reagon pas zhvillimeve në Kuvend, kritikon Kurtin si përgjegjës kryesor të situatës
Foto: Laura Hasani

OVL UÇK-ja reagon pas zhvillimeve në Kuvend, kritikon Kurtin si përgjegjës kryesor të situatës

Aktuale August 06, 2026 - 14:57

Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar pas situatës së krijuar rreth moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se po e mban vendin në bllokadë institucionale.

Në reagimin e saj, OVL UÇK-ja ka shprehur kundërshtim ndaj, siç thuhet, “çdo përpjekjeje për ta mbajtur Kosovën peng të llogarive partiake”, duke theksuar se vendi ka nevojë për institucione funksionale.

“Pas zgjedhjeve, Kuvendi ende nuk funksionon dot, ndërsa vendi mbetet pa qeveri me mandat të plotë. Kjo nuk është strategji. Është sulm ndaj rendit institucional dhe ndaj vetë sigurisë së shtetit”, thuhet në reagim.

Sipas OVL UÇK-së, përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar e mban Albin Kurti, të cilin e akuzon se po vendos interesat partiake mbi ato kombëtare.

“Refuzimi i tij për ta vënë interesin kombëtar mbi pushtetin partiak e thellon paqëndrueshmërinë dhe dëmton lidhjet me aleatët tanë strategjikë, mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në reagim.

OVL UÇK-ja ka theksuar se Kosovës i nevojiten institucione funksionale sa më shpejt, duke përmendur edhe çështjet me të cilat, sipas saj, përballen veteranët.

“Veteranët tashmë mbajnë mbi supe barra të rënda administrative dhe ligjore; ndërkohë Kosovës i duhen institucione që funksionojnë sa më parë”, thuhet në reagim.

Në fund, organizata u ka bërë thirrje Kurtit dhe subjektit të tij politik që të hapin rrugë për krijimin e institucioneve.

“Kosova nuk është pronë e asnjë udhëheqësi. As e ndonjë partie. OVL UÇK i bën thirrje Albin Kurtit dhe subjektit të tij që të ndërpresin lojërat me fatin e vendit, t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos e mbajnë Kosovën peng të agjendave personale”, thuhet në reagim.