IKD: Ndërprerja e seancës konstituive cenon Kushtetutën, mungesa e marrëveshjes politike s’e arsyeton bllokadën
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë për ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se një veprim i tillë cenon rendin kushtetues dhe nuk mund të arsyetohet me mungesën e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive.
Sipas IKD-së, ushtruesja e detyrës së Presidentes e kishte thirrur seancën në ditën e 30-të të afatit kushtetues, duke u lënë partive kohë të mjaftueshme për të arritur marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Në reagim thuhet se seanca kishte nisur sipas procedurës, me verifikimin e kuorumit, betimin e deputetëve dhe miratimin e raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, por në momentin kur duhej të vazhdonte me zgjedhjen e organeve të Kuvendit, ajo u shndërrua në hapësirë për deklarime politike dhe negociata lidhur me zgjedhjen e presidentit.
IKD-ja thekson se kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për konsultime me partitë parlamentare, si dhe vendimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për ndërprerjen e saj, nuk gjejnë mbështetje në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive.
Sipas institutit, neni 9, paragrafi 3 i Rregullores së Kuvendit përcakton qartë se në seancën konstituive nuk zhvillohet debat, prandaj ajo nuk mund të përdoret për diskutime politike apo për kushtëzimin e konstituimit të Kuvendit me marrëveshje për çështje të tjera.
IKD-ja vlerëson se zgjedhja e Presidentit të Republikës është një proces i veçantë kushtetues dhe nuk mund të shndërrohet në parakusht për konstituimin e Kuvendit.
Më tej, instituti rikujton se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar detyrimin që Kuvendi të konstituohet brenda afatit 30-ditor, duke theksuar se ky nuk është një afat orientues, por një detyrim kushtetues.
“Mungesa e një sanksioni të përcaktuar nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës. Përkundrazi, përpjekja për ta shfrytëzuar këtë zbrazëti si hapësirë për zvarritje do të përbënte veprim kundërkushtetues, cenim të sundimit të ligjit dhe vazhdim të një praktike të rrezikshme të bllokimit të institucioneve”, thuhet në reagim.
IKD-ja shton se zhvillimet politike, duke përfshirë refuzimin e PDK-së dhe AAK-së për koalicion apo mungesën e marrëveshjes ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, nuk mund të ndryshojnë procedurën kushtetuese të konstituimit të Kuvendit.
Në fund, Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, pa debate, improvizime procedurale apo kushte politike, duke theksuar se deputetët janë betuar për ta respektuar Kushtetutën dhe ligjin, e jo për t’iu nënshtruar kalkulimeve partiake. /Zëri