Varr masiv në Jabukë, gjenden mbetje mortore të katër personave
Foto: Laura Hasani

Varr masiv në Jabukë, gjenden mbetje mortore të katër personave

Aktuale August 03, 2026 - 21:06

Në malet e Zubin Potokut vazhdojnë kërkimet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në fshatin Jabukë të kësaj komune. Në thellësi të terreni malor, rreth një kilometër larg nga varreza masive në Kalludër, është zbuluar një tjetër lokacion me mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit.

Mbetjet mortore të katër personave janë gjetur të hënën në këtë fshat. Dyshohet se viktimat, pas ekzekutimit, janë hedhur në një gropë qereçi.

Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme ka deklaruar se hetimet për zbardhjen e këtij krimi dhe identifikimin e përgjegjësve do të vazhdojnë.

Ndërkohë, përmes një komunikate për media, kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka bërë të ditur se në zonën e Zubin Potokut dyshohet se mund të ketë edhe trupa të tjerë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Sipas tij, zbulimi i varreve masive është rezultat i një angazhimi institucional për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Këto zhvillime kanë rikthyer shpresën te familjarët e personave të zhdukur.

Të dielën është arrestuar edhe i dyshuari i tretë për krime lufte në Zubin Potok. Terreni i vështirë malor i kësaj komune nuk i ka ndalur ekipet e forenzikës dhe institucionet përgjegjëse që t`i vazhdojnë kërkimet për gjetjen e gjurmëve të viktimave të luftës.

Nga Kalludra në Jabukë, e më tej në çdo cep ku dyshohet se mund të ketë dëshmi të reja, kërkimet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur do të vazhdojnë. /RTK