LDK-ja mban sot kuvendin e jashtëzakonshëm
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot kuvendin e jashtëzakonshëm, i thirrur pas përfundimit të procedurave statutare dhe verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve që kërkuan mbajtjen e tij.
Sipas njoftimit të partisë, është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës së delegatëve, duke i hapur rrugë mbledhjes së Kuvendit.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së do të mbahet në orën 18:00.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm vjen në një periudhë tensionesh të brendshme në LDK, pasi një grup delegatësh kërkuan shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke theksuar se partia duhet të marrë përgjegjësi politike pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Në njoftimin zyrtar, LDK-ja ka theksuar se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me Statutin e partisë dhe se Kuvendi do të mbahet duke respektuar parimet e demokracisë së brendshme, transparencës dhe vullnetit të delegatëve.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme politike brenda LDK-së këtë vit, pasi delegatët do të diskutojnë për situatën në parti dhe hapat e mëtejshëm, ndërsa pritet të shihet nëse do të votohet për shkarkimin e Abdixhikut apo i njëjti do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në.