Nikshiqi refuzon iniciativën për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Nikshiqi refuzon iniciativën për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Aktuale July 29, 2026 - 17:04

Kuvendi Komunal i Nikshiqit ka hedhur poshtë një iniciativë të Partisë Demokratike Popullore (DNP) për miratimin e një deklarate që kërkonte “tërheqjen e njohjes” së Kosovës, duke argumentuar se nuk ka kompetencë ligjore për çështje të tilla.

Iniciativa ishte paraqitur nga DNP-ja, e udhëhequr nga Milan Knezheviq, ndërsa këshilltarët e kësaj partie në nivel lokal kishin propozuar që Kuvendi Komunal i Nikshiqit të miratonte një deklaratë për revokimin e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi.

Në propozimin e DNP-së, vendimi i Malit të Zi për njohjen e Kosovës në vitin 2008 cilësohej si një vendim i marrë “kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve”, ndërsa Kosova përshkruhej si “pjesë e pandashme e Serbisë”.

Megjithatë, partia NSD, e cila është pjesë e pushtetit lokal, e ka kundërshtuar iniciativën, duke theksuar se njohja ose tërheqja e njohjes së një shteti është kompetencë ekskluzive e institucioneve qendrore dhe jo e vetëqeverisjes lokale.

NSD-ja ka rikujtuar se të njëjtin qëndrim e kishte mbajtur edhe në vitin 2012, kur kishte kundërshtuar një iniciativë që, sipas saj, synonte të lidhte marrëveshjet politike lokale me çështjen e njohjes së Kosovës.

“Ne thamë atëherë, ashtu siç themi edhe tani, se kjo nuk është në kompetencë të vetëqeverisjes lokale. Ata që besojnë se komunat e kanë njohur Kosovën dhe se tani duhet ta tërheqin njohjen, mund të vazhdojnë me iniciativa të tilla, por kjo nuk do të ndodhë në Nikshiq”, thuhet në përgjigjen e NSD-së.

Ndërkohë, sipas të përditshmes malazeze Pobjeda, zyrtarë të Bashkimit Evropian u kanë përcjellë në mënyrë jozyrtare autoriteteve malazeze shqetësimin për iniciativat që synojnë tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Sipas raportimit, ata kanë paralajmëruar se një veprim i tillë mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të Malit të Zi. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publike ndonjë deklaratë zyrtare e Bashkimit Evropian që konfirmon këto pretendime.

Rasti në Nikshiq nxjerr në pah edhe dallimet brenda spektrit politik pro-serb në Mal të Zi lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar çështja e Kosovës, pavarësisht qëndrimeve të përafërta të këtyre forcave politike në raport me statusin e saj.