Haddad: Do ta ndihmojmë Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit
Foto: Laura Hasani

Haddad: Do ta ndihmojmë Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit

Aktuale July 29, 2026 - 07:54

Franca mbetet një nga mbështetëset kryesore të perspektivës evropiane të Kosovës dhe është e gatshme të ndihmojë vendin në zbatimin e reformave dhe marrëveshjeve të nevojshme për avancimin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kështu u shpreh Ministri i Deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, në një intervistë për RTK-në, në përmbyllje të vizitës së tij zyrtare në Kosovë.

Haddadi tha se vizita e tij kishte për qëllim forcimin e partneritetit mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Mesazhi që solla në Kosovë është një mesazh miqësie. Kombet tona kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës që nga fillimi. Tani po përgatitemi së bashku për të ardhmen e Evropës”, deklaroi ai.

Sipas ministrit francez, gjatë vizitës janë nënshkruar pesë marrëveshje bashkëpunimi në fushat e drejtësisë, kulturës dhe arsimit, si dhe marrëveshje që mbështesin organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Ai bëri të ditur se Franca do të mbështesë Kosovën edhe përmes një kredie prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim për rinovimin e infrastrukturës sportive dhe rinore, ndërsa kujtoi edhe programin prej 80 milionë eurosh për tranzicionin energjetik.

Duke folur për integrimin evropian, Haddad ritheksoi mbështetjen e Francës për Kosovën, por theksoi se procesi bazohet në përmbushjen e kritereve.

“Po, unë mbështes perspektivën evropiane të Kosovës dhe ky është një qëndrim i qartë i Qeverisë franceze”, tha ai.

Sipas tij, përparimi drejt Bashkimit Evropian kërkon zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e angazhimeve ndërkombëtare.

“Do ta ndihmojmë Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe në realizimin e reformave të nevojshme për përafrimin me legjislacionin evropian”, u shpreh Haddadi.

Ministri francez foli edhe për situatën e sigurisë në rajon, duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si pjesë të rëndësishme të arkitekturës së sigurisë evropiane.

Ai rikujtoi se Franca vazhdon të kontribuojë në kuadër të misionit të KFOR-it dhe tha se, ndonëse situata në Kosovë është aktualisht e qetë, nevojitet vigjilencë.

“Fatmirësisht situata e sigurisë është e qetë, por duhet të mbetemi gjithmonë vigjilentë. Pikërisht për këtë arsye angazhimi ynë në KFOR dhe për sigurinë e rajonit vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Në aspektin ekonomik, Haddadi vlerësoi se Kosova ofron potencial të madh për investime franceze, duke përmendur rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe praninë e kompanive franceze në tregun kosovar.

Ai theksoi se sektorë si inteligjenca artificiale, teknologjia, tranzicioni energjetik, sporti, kultura dhe arsimi paraqesin mundësi të mëdha për bashkëpunim në të ardhmen.

“Nuk kufizohem vetëm te sporti. Inteligjenca artificiale, teknologjia, tranzicioni energjetik, dekarbonizimi, kultura dhe arsimi janë fusha me perspektivë të jashtëzakonshme për bashkëpunim të thelluar ndërmjet dy vendeve tona”, përfundoi Haddadi.