Gjendja në pikat kufitare, pritje deri në 90 minuta për të hyrë në Kosovë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare të Kosovës, ku në disa vendkalime janë shënuar pritje më të gjata për hyrje në vend.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 14:13, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare Muçibabë, ku qytetarët po presin deri në 90 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa kolona e automjeteve arrin në 600 metra.
Edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë ka fluks më të madh, me pritje deri në 30 minuta për hyrje dhe kolonë prej 500 metrash.
Në Han të Elezit, pritjet janë rreth 15 minuta si në hyrje, ashtu edhe në dalje, ndërsa kolonat arrijnë në rreth 100 metra në të dyja drejtimet.
Në pikat e tjera kufitare, duke përfshirë Merdar, Jarinjë, Bërnjak, Kullë, Vërmicë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Stançiq dhe Glloboçicë, qarkullimi zhvillohet pa vonesa të konsiderueshme, me pritje prej vetëm dy deri në pesë minuta. /Zëri
