Avokati i Popullit: Fëmijët e shurdhër në Kosovë përballen me pengesa serioze për arsim cilësor
Foto: Laura Hasani

Avokati i Popullit: Fëmijët e shurdhër në Kosovë përballen me pengesa serioze për arsim cilësor

Aktuale July 24, 2026 - 16:04

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me Rekomandime ex officio nr. 1128/2024, në të cilin vlerësohet se fëmijët e shurdhër dhe ata me dëmtime në dëgjim në Kosovë vazhdojnë të përballen me pengesa serioze në realizimin e së drejtës për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Hetimi është iniciuar pas shqetësimeve të ngritura nga individë dhe organizata të shoqërisë civile se një numër i konsiderueshëm i personave të shurdhër, megjithëse përfundojnë arsimin e mesëm me nota të larta, nuk arrijnë të zotërojnë shkathtësitë bazë të shkrim-leximit.

Sipas raportit, Avokati i Popullit ka shqyrtuar nëse sistemi arsimor garanton të drejtën për arsim cilësor në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në kuadër të hetimit janë zhvilluar komunikime me Qendrën Burimore "Nënë Tereza" në Prizren, ndërsa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës janë kërkuar informacione lidhur me kurrikulat, përgatitjen profesionale të stafit mësimdhënës, përdorimin e gjuhës së shenjave dhe masat për ofrimin e arsimit cilësor për nxënësit e shurdhër dhe ata me dëmtime në dëgjim.

Raporti thekson se, pavarësisht garancive kushtetuese dhe ligjore, mungesa e personelit të specializuar, e mësimdhënësve të trajnuar në gjuhën e shenjave, e interpretëve, e materialeve të përshtatshme mësimore dhe e mekanizmave efektivë për vlerësimin e njohurive cenon cilësinë e arsimit dhe rrit rrezikun e diskriminimit.

Sipas Avokatit të Popullit, shteti ka detyrim të garantojë arsim cilësor, efektiv dhe të barabartë për çdo fëmijë, pa diskriminim, duke siguruar që fëmijët e shurdhër të kenë qasje të plotë në arsim dhe mundësi të barabarta për zhvillim e integrim në shoqëri.

Për këtë arsye, raporti i rekomandon Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që të zbatojë në mënyrë efektive dispozitat ligjore për arsimin gjithëpërfshirës, të angazhojë staf të specializuar shumëdisiplinar në Qendrën Burimore "Nënë Tereza", të garantojë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve, instruktorëve dhe interpretëve të gjuhës së shenjave, si dhe të zhvillojë inspektime të rregullta për monitorimin e cilësisë së arsimit që u ofrohet nxënësve me dëmtime në dëgjim./Zëri