BE-ja: Të ndalet presioni ndaj KGJK-së, pavarësia e gjyqësorit është thelbësore
Bashkimi Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes.
Në një reagim publik, BE-ja theksoi se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Kosovë.
“U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes. Një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për sundimin e ligjit në BE dhe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Deklarata vjen në një periudhë kur vendimmarrja e KGJK-së është bërë objekt i debatit dhe reagimeve politike.