IHMK-ja publikon analizën për motin e 20–22 korrikut, jep sqarime për paralajmërimet meteorologjike
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar një njoftim për publikun lidhur me situatën meteorologjike dhe përditësimin e parashikimit të motit për periudhën 20–22 korrik 2026.
Sipas IHMK-së, dokumenti përmban analizën e situatës meteorologjike gjatë kësaj periudhe, të dhënat e regjistruara nga Rrjeti Shtetëror Meteorologjik i Kosovës, si dhe sqarime mbi bazën shkencore dhe standardet ndërkombëtare mbi të cilat hartohen parashikimet dhe paralajmërimet për motin.
Instituti thekson se në njoftim trajtohet edhe karakteri dinamik i stuhive konvektive, duke shpjeguar mënyrën e lëshimit të paralajmërimeve sipas praktikave të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) dhe sistemit MeteoAlarm.
“IHMK mbetet i përkushtuar për të ofruar informacione të besueshme, në kohë dhe të bazuara në standardet më të larta profesionale, në funksion të mbrojtjes së jetës, pronës dhe aktiviteteve ekonomike”, thuhet në njoftimin e institucionit.