Gjini dorëzon kallëzim penal ndaj ministres serbe, kërkon të lëshohet fletarrest ndërkombëtar
Avokati Gent Gjini ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se “po të ishte në vend të Millosheviqit, do të kryente spastrim etnik në Kosovë”.
Ai ka thënë se në rastin e ministres serbe duhet të implikohet edhe faktori ndërkombëtar, dhe të iniciohet procedurë që ndaj së njëjtës të lëshohet fletarrest ndërkombëtar.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar, sot e kemi protokolluar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale. Bëhet fjalë për ministren Snezhana Paunoviq, e cila tani, siç dihet botërisht, në një emision në televizionin serb kishte thënë se po të ishte në vend të Slobodan Millosheviçiq—babait të saj ideologjik—do të kryente spastrim etnik të të gjithë shqiptarëve.
Pra, ky veprim i saj neve na shqetëson dhe na brengos sepse duhet ditur se kjo ministre është në qeverinë aktuale dhe mban pozitë të ministres. Dhe në momentin që një pozitë, një ministre që flet në një pozitë të tillë, kjo na cenon neve dhe na drejtpërdrejt na rrezikon për t’u ripërtërirë politika e saj për spastrim etnik ndaj shqiptarëve. Andaj, ky kallëzim penal, ndër të tjera, ngërthen se në këtë rast domosdoshmërisht duhet të implikohet edhe faktori ndërkombëtar, këtu si INTERPOL-i dhe ndaj kësaj ministre të pandërgjegjshme, shoviniste, të iniciohet për t’u lëshuar fletarrest ndërkombëtar”, tha ai.
Gjini shtoi se deklarata e Paunoviqit përpos që e rrezikon popullin e Kosovës, e rrezikon edhe misionin e NATO-s, pasi siç thotë ai, ky i fundit është mision paqeruajtës.
“Dhe në momentin e kapjes së saj, ne sigurisht do të kërkojmë ndihmë edhe nga misioni i OKB-së dhe NATO, sepse duke ditur se ajo flet për spastrim etnik ndaj shqiptarëve, duhet ditur se NATO-ja neve na ka shpëtuar edhe nga spastrimi etnik që na ka bërë regjimi gjakatar i Millosheviqit. Andaj, deklarimi i saj, le që na shqetëson neve, na rrezikon si popullatë dhe na kthen ato kujtime të këqija serbe, të cilët kanë bërë spastrim etnik ndaj popullatës civile shqiptare, por në anën tjetër e rrezikon edhe misionin e NATO-s, sepse misioni i NATO-s këtu është mision paqeruajtës për të mbajtur rend dhe siguri.
Dhe vetë deklarimi i saj duhet ta zgjojë kureshtjen dhe duhet të jetë këmbanë për misionin e OKB-së dhe agjencitë ndërkombëtare, sepse derisa ajo flet për spastrim etnik ndaj shqiptarëve, atëherë edhe NATO duhet të brengoset, mbase që ende siguria jonë është në duart e NATO-s dhe NATO na mbron për këtë arsye. Andaj, unë kam pritur se kjo ministreshë duhet të japë dorëheqje dhe të ketë një presion diplomatik evropian dhe më gjerë. Por kam parë që deklarata e saj është duartrokitur, është përshëndetur. Dhe duke ditur që është në një pozitë të ministres, ajo neve na brengos dhe na shqetëson”, tha ai.
Kurse ish-veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku, foli lidhur me ligjin për shtetësi që është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
“Qeveria e Albin Kurtit edhe Xhelal Sveçla vetë ua kanë mundësuar kriminelëve të Serbisë me marrë nënshtetësinë e Kosovës. Me krye këtë ministre që ka thënë me bë spastrimin etnik të shqiptarëve. Kështu që këta ia kanë dhënë mundësinë atyre kriminelëve me u kthyer edhe një herë në Kosovë, me aplikuar për nënshtetësi të Kosovës me marrë. Këtu gabimi i qeverisë është gabimi i Albin Kurtit, i Xhelal Sveçlës. Kështu që ne nuk do të lejojmë me u bë spastrimi etnik. Se përndryshe, ne UÇK-ja hapët duhet me u aktivizuar. Edhe ne e dimë mirë qysh e kanë bë spastrimin etnik në vitin 1878 prej Toplicës serbët, spastrimi i parë i bërë. Në vitin 1999 e ka bërë Slobodan Millosheviqi, në vitin 1999 i ka dëbuar shqiptarët prej Kosovës në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri. Domethënë tri herë e ka bërë dëbimin e shqiptarëve, kështu që më nuk do të lejojmë”, tha ai.

