Pesë vjet pas aksidentit tragjik në Kroaci, do të vendoset pllaka përkujtimore për 10 viktimat nga Kosova

Pesë vjet pas aksidentit tragjik në Kroaci, do të vendoset pllaka përkujtimore për 10 viktimat nga Kosova

Aktuale July 17, 2026 - 14:23

Në përvjetorin e pestë të aksidentit tragjik në Kroaci, në Slavonski Brod do të vendoset një pllakë përkujtimore në nderim të viktimave kosovare që humbën jetën.

Ceremonia do të mbahet më 23 korrik të këtij viti, duke filluar nga ora 10:30, ka njoftuar Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci, transmeton Klankosova.tv.

Pllaka përkujtimore do të vendoset si shenjë respekti dhe kujtese për viktimat e aksidentit të 25 korrikut 2021, kur një autobus me udhëtarë nga Frankfurti drejt Kosovës doli nga rruga në afërsi të Slavonski Brod-it.

“Në këtë ngjarje do të marrin pjesë një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, përfaqësues të autoriteteve lokale të qytetit të Slavonski Brod-it, si dhe përfaqësues të Prefekturës Brod-Posavinë, së bashku me përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë”, thuhet në postimin në Facebook.

Si pasojë e aksidentit humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës, ndërsa mbi 30 persona të tjerë u lënduan.

Autobusi transportonte rreth 60 udhëtarë. Për rastin ishte arrestuar shoferi i kompanisë “Deva Tours”, i cili kishte deklaruar para autoriteteve kroate se në momentin e aksidentit e kishte zënë gjumi.