APK-ja përmbyll Javën e Agjencisë, Haxhiu: Lufta kundër korrupsionit, betejë e përhershme
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka përmbyllur aktivitetet e Javës së Agjencisë, të organizuara nën moton “20 vjet transparencë dhe integritet – duke rritur besimin, duke parandaluar korrupsionin”, ku u vlerësua roli i institucionit në forcimin e integritetit institucional dhe parandalimin e korrupsionit në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se lufta kundër korrupsionit është një proces i vazhdueshëm dhe i domosdoshëm për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit.
“Ndër këto parime, pa dyshim që janë integriteti, përgjegjësia por edhe barazia para ligjit. Njëzet vjet janë dëshmi e pjekurisë së një institucioni, por kur misioni është mbrojtja e interesit publik, çdo vit është një provë në vete. Sepse korrupsioni nuk pushon kurrë. Ai ndryshon formë, kërkon rrugë të reja dhe përpiqet të depërtojë aty ku institucionet dobësohen dhe ku vigjilenca zbehet. Prandaj, lufta kundër korrupsionit nuk është një betejë që fitohet një herë e përgjithmonë, është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbrojtur besimin e qytetarëve te shteti, pra te Republika jonë”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se korrupsioni prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe minon besimin në institucionet publike.
“Në raporte dhe statistika, korrupsioni matet me shifra, por qytetarët e njohin ndryshe. Ata e njohin si tenderin që fitohet para se të hapet, si lejen që sigurohet me një telefonatë, si konkursin ku fituesi dihet para se të dorëzohet aplikimi i parë, si derën që hapet për dikë vetëm sepse e njeh dikë në një institucion. Korrupsioni nuk vjedh vetëm paranë publike. Ai vjedh mundësinë, ai e vjedh drejtësinë, e vjedh edhe besimin. Dhe kur qytetarët humbin besimin se ligji vlen njësoj për të gjithë, humbet shumë më tepër sesa një procedurë administrative. Pra, humbet ajo që për ne është shumë e rëndësishme, e që është besimi i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, në institucionet e shtetit të vet”, tha ajo.
Kurse drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se historia e institucionit është e lidhur ngushtë me zhvillimin e kulturës së integritetit institucional në Kosovë.
“Historia e agjencisë është më tepër se historia e një institucioni. Është histori e mënyrës se si Kosova ka ndërtuar hap pas hapi kulturën e integritetit institucional. Kur agjencia u themelua para 20 vitesh sfidat ishin shumë më të mëdha. Duhej të ndërtohej nga fillimi një institucion. Duhej të ndërtohej besimi në institucion, duhej të ndërtohej një kulturë e re institucionale. Sot pas dy dekadash e keni shumë të lehtë sepse besojmë që jemi krenarë për punën e agjencisë sepse është shndërruar në një institucion modern, një institucion profesional dhe një institucion të besuar”, tha Buleshkaj.
Ai tha se APK-ja ka kaluar nga një institucion administrativ në një mekanizëm aktiv për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e transparencës.
“Që nga dita kur mora përgjegjësinë për ta udhëhequr këtë institucion, kam besuar se agjencia nuk duhet të jetë vetëm një institucion që administron procedura. Agjencia duhet të jetë një institucion që krijon besimin e qytetarit në institucionet e Republikës së Kosovës. Jo një institucion që ndëshkon por që parandalon. Një institucion që udhëheq me shembull. Një institucion modern. Kemi përshpejtuar transformimin digjital. Kemi zgjeruar shërbimet elektronike. Kemi rritur transparencën. Kemi forcuar mekanizmat për deklarimin e pasurisë, për sinjalizimin, për konfliktin e interesit, për dhuratat zyrtare, për mbrojtjen e sinjalizuesve, për vlerësimin e rrezikut kundër korrupsion”, tha ai. /EO


