Haxhiu mbron emërimin e Zejnullah Gashit: Pretendimet për lidhje me LVV-në janë qesharake
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka mbrojtur emërimin e kryeprokurorit të ri të Shtetit, Zejnullah Gashi, pas kritikave dhe pretendimeve për afërsi të tij me Lëvizjen Vetëvendosje.
Haxhiu tha se Gashi nuk është emëruar pa përvojë apo jashtë sistemit prokurorial, ndërsa pretendimet për lidhje politike i cilësoi si përpjekje për të dëmtuar procesin e emërimit.
“Gashi nuk ka ardhë nga rruga që bëhet kryeprokuror. Ai ka qenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, prandaj këto deklarata se ai është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje janë qesharake. Dhe nuk e di se nga kush kanë ardhë, por janë, si me thënë, përpjekje dashakeqe për të dëmtuar një proces që ju të gjithë e keni parë që është mbikëqyrë edhe nga organizatat kredibile të shoqërisë civile, dhe po ashtu dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Partnerët ndërkombëtarë e kanë përshëndetur këtë emërim, ndërsa sa i përket organizatave të shoqërisë civile më kanë bërë thirrje që sa më shpejt të emërohet Kryeprokurori i Shtetit, duke pasur parasysh që Kosova është më shumë se katër vite me u.d. kryeprokuror të Shtetit”, tha ajo.
Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se nga kryeprokurori i ri pret angazhim maksimal në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së vendit.
“Unë zotit Gashi i uroj sukses dhe punë të mbarë në detyrën e tij. Është shumë e rëndësishme ajo çfarë ia kam thënë në takim, në ditën kur e kam emëruar, që mandatin e tij, përgjegjësinë e tij ta ushtrojë me përgjegjësinë më të lartë institucionale, me integritet të lartë profesional e moral, dhe me përpjekje maksimale për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin në mënyrë që në Republikën e Kosovës të mos ketë zyrtarë të korruptuar që ndihen të paprekshëm, dhe të mos ketë përpjekje për të destabilizuar në çfarëdo forme ndonjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës siç ka ndodhur, referuar sulmit në Banjskë apo në Ibër-Lepenc. Pra, është shumë e rëndësishme që detyrat të kryhen me profesionalizmin më të lartë. Ata që thonë që është në Vetëvendosje, le të vazhdojnë ta bëjnë”, tha ajo.