Hamza me ambasadorin e Austrisë diskutoi për zhvillimet politike në vend
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe procesin e konstituimit të institucioneve.
Në njoftimin e partisë thuhet se gjatë takimit, Hamza theksoi se Kosova ka kaluar një periudhë të gjatë të paqëndrueshmërisë politike dhe se vendi ka nevojë për institucione funksionale, stabile dhe efektive.
“Presim që certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të përfundojë në ditët e ardhshme. PDK mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, funksionimit të institucioneve dhe mbrojtjes së interesit shtetëror”, citohet të ketë thënë Hamza.
Sipas njoftimit, ai ka shprehur shqetësimin për zhvillimet në vend, duke vlerësuar se Kosova ka shënuar prapakthim në fusha të rëndësishme, si ekonomia, integrimi euroatlantik, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe liria e shprehjes.
Në fund, sipas PDK-së, Hamza ka theksuar se partia mbetet e përkushtuar të kontribuojë në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e prioriteteve strategjike të Kosovës, në interes të qytetarëve dhe të ardhmes euroatlantike të vendit.