Abdixhiku në takim me Terras: Pas certifikimit të rezultateve të formohen sa më shpejt institucionet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ku kanë diskutuar për situatën politike në vend pas zgjedhjeve, procesin e certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, si dhe për domosdoshmërinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
Abdixhiku nënvizoi se respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor, duke theksuar se pas certifikimit të rezultateve duhet të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të interesit të Kosovës.
Derisa, Abdixhiku vlerësoi raportin e Raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, i cili nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe konstituimit të institucioneve funksionale, si hapa të domosdoshëm në rrugën evropiane të Kosovës.
Gjatë takimit, Abdixhiku shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë ofruar Kosovës ndër vite, duke ritheksuar rëndësinë e partneritetit me institucionet evropiane në avancimin e proceseve demokratike dhe të perspektivës evropiane të vendit.