Prishtina me mesazhe mirënjohjeje për SHBA-në në jubileun e 250-vjetorit
Në Prishtinë është shënuar të shtunën 250-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një aktivitet festiv të organizuar nga Shoqata e Miqësisë së Amerikës pranë shtatores së ish-presidentit amerikan Bill Clinton.
Kryetari i Shoqatës së Miqësisë së Amerikës, Agim Rexhepi, ka thënë se ky aktivitet organizohet në emër të respektit dhe dashurisë së qytetarëve shqiptarë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në emrin e miliona qytetarëve shqiptarë që kanë respekt dhe dashuri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ky vend, i urojmë 4 Korrikun, njëkohësisht këtë jubile të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shoqata e Miqësisë së Amerikës e ka këtë aktivitet, e kemi bërë në koordinim me këto institucione, mirëpo njëkohësisht duke informuar institucionet shumë të larta edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga këtu, fotografitë do t’i dërgojmë përfaqësuesve, liderëve shumë të lartë amerikanë”, ka thënë Rexhepi.
Me rastin e këtij jubileu, Shoqata ka prezantuar edhe një foto-ekspozitë me fotografi ekskluzive të vendosura në korniza dhe të shoqëruara me mesazhe dedikuese, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu, qytetarëve iu janë shpërndarë kartolina të plastifikuara të përgatitura për këtë përvjetor, me portretet e ish-presidentëve amerikanë George H. W. Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Gardës së Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative, Njësisë Intervenuese, Njësisë Speciale K9, zjarrfikësve dhe Qendrës së Mjekësisë Emergjente.