Betohen 12 kadetë të FSK-së, diplomojnë pas katër vjetësh studime
Në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë është mbajtur ceremonia solemne e diplomimit dhe betimit të 12 kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë përfunduar me sukses studimet katërvjeçare në programin ushtarak pranë Qendrës për Studime Universitare të Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, si dhe përgatitjen akademike në Universitetin Amerikan në Kosovë.
Në ceremoni morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, drejtues të lartë të FSK-së, përfaqësues institucionesh, partnerë ndërkombëtarë, si dhe familjarë të kadetëve.
Ceremonia nisi me raportimin para ushtrueses së detyrës së Presidentes, në cilësinë e komandantes supreme të FSK-së, dhe u përmbyll me betimin solemn të kadetëve të gjeneratës 2026.
Pas betimit, 12 kadetët u graduan me gradën nëntoger, duke u bërë oficerët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas FSK-së, diplomimi dhe betimi i kësaj gjenerate përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të forcës dhe dëshmojnë përkushtimin për ndërtimin e një ushtrie moderne, profesionale dhe në përputhje me standardet më të larta ushtarake. /Zëri