Vonesa në grumbullimin e mbeturinave në disa lagje, “Pastrimi” kërkon ndjesë dhe arsyetohet
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka kërkuar ndjesë qytetarëve për vonesat dhe mosrealizimin e plotë të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në disa lagje të Prishtinës dhe qytete të tjera ku operon.
Sipas kompanisë, situata ka ardhur si pasojë e ndryshimeve në orarin e operimit nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), e cila ka vendosur mbylljen e deponisë në Mirash nga ora 00:00, në kuadër të organizimit të saj të brendshëm.
Ky ndryshim, sipas “Pastrimit”, ka pamundësuar përfundimin e ciklit të planifikuar të operimit gjatë orëve të natës dhe pritet të ndikojë edhe në ditët në vijim.
Kompania thekson se menaxhimi i deponisë nuk është në kompetencë të saj, pasi KMDK është ndërmarrje publike qendrore dhe funksionon e pavarur.
“Pavarësisht kësaj situate, ekipet tona mbeten të angazhuara maksimalisht për të rikuperuar vonesat dhe për të vazhduar shërbimin sa më shpejt, me qëllim që të minimizohet çdo ndikim për qytetarët dhe shëndetin publik. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me menaxhmentin e deponisë për të gjetur zgjidhje sa më të shpejtë”, thuhet në njoftim.