Qeveria dhe BE-ja mbajnë takim për projektet e WBIF-it, diskutohet përshpejtimi i zbatimit

Qeveria dhe BE-ja mbajnë takim për projektet e WBIF-it, diskutohet përshpejtimi i zbatimit

Aktuale June 26, 2026 - 18:00

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë zhvilluar një takim të nivelit të lartë në kuadër të misionit monitorues të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST) për projektet e financuara përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Në takim morën pjesë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, si dhe zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani. Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Enrica Chiozza, zëvendësudhëheqëse e Njësisë B1 në DG ENEST, dhe Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë.

Takimi u hap nga kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, i cili theksoi rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimit me partnerët për zbatimin sa më të suksesshëm të projekteve të WBIF-it.

Gjatë diskutimeve u shqyrtua progresi i arritur në zbatimin e projekteve, sfidat e hasura dhe hapat e nevojshëm për të përshpejtuar implementimin e tyre. Gjithashtu u theksua rëndësia e koordinimit në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF), si dhe në mekanizma të tjerë të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Ministrat paraqitën ecurinë e projekteve në sektorët përkatës, duke vënë në pah rëndësinë e planifikimit të mirë, koordinimit institucional dhe pronësisë së projekteve, me qëllim shmangien e vonesave gjatë zbatimit.

Sipas njoftimit, Zyra e Kryenegociatorit do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në koordinimin ndërinstitucional për të adresuar pengesat e identifikuara dhe për të siguruar shfrytëzimin sa më efektiv të fondeve të Bashkimit Evropian në mbështetje të zhvillimit të Kosovës.