AUV-i me thirrje për kujdes në ruajtjen e ushqimeve shkaku i të nxehtit
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje për kujdes në ruajtje të ushqimeve për shkak të ngritjes se temperaturave.
AUV-i kërkon që të gjithë operatorët ekonomik që merren me ushqime të zbatojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe kushtet sipas standardeve te sigurisë ushqimore.
“Siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët, andaj secili duhet ta ndjejë vetën përgjegjës për ruajtje të ushqimeve në secilin rast. Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë rastet e helmimeve ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve”, thonë mes tjerash nga kjo agjenci, transmeton Klankosova.tv.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se do të intensifikojë kontrollet gjatë periudhës se verës për të mbikëqyrë respektimin e kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Asnjë shkelje nuk do të tolerohet.