Basha inspekton rehabilitimin e rrugës së dëmtuar në Slivovë të Ferizajt
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka inspektuar sot punimet për rehabilitimin e segmentit të dëmtuar të rrugës në fshatin Slivovë, duke bërë të ditur se ndërhyrja është përfunduar me sukses.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, dëmtimi i rrugës ishte shkaktuar nga grumbullimi i ujërave në skajin e trupit të rrugës, situatë që kishte rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe kishte shkaktuar dëme në infrastrukturën rrugore.
Pas evidentimit të problemit, ministria ndërmori masat e nevojshme për hartimin e planit të intervenimit dhe realizimin e sanimit emergjent. Punimet kanë përfshirë rehabilitimin e pjesës së dëmtuar dhe asfaltimin e segmentit, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit të sigurt dhe normal për qytetarët.
Gjatë vizitës në terren, ministri Basha theksoi se për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme është e nevojshme ndërhyrja e Komuna e Ferizajt në hapjen dhe mirëmbajtjen e kanalit për largimin e ujërave.
Ai nënvizoi se adresimi i shkakut të problemit është përgjegjësi e pushtetit lokal dhe se vetëm përmes koordinimit institucional mund të sigurohen zgjidhje afatgjata për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka ritheksuar përkushtimin për të reaguar me kohë në rastet kur rrezikohet infrastruktura rrugore dhe siguria e qytetarëve, duke realizuar ndërhyrjet që janë në kompetencën e saj dhe duke kërkuar bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse për zgjidhje të qëndrueshme. /rtk