Gërvalla: Qeveria ndan tre milionë euro për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgatën
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar 3 milionë euro për mbulimin e kostos së Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët gjatë sezonit veror.
Sipas njoftimit, nga muaji korrik e tutje, mërgimtarët që hyjnë në Kosovë me vetura nuk do të përballen me këtë shpenzim shtesë, pasi kostoja do të mbulohet nga shteti në kuadër të masës 4.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, e cila synon mbështetjen e mërgatës.
Në deklaratën e saj, Gërvalla theksoi rëndësinë historike të diasporës në shtetndërtimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një shtyllë të vazhdueshme të zhvillimit të vendit.
"3 milionë euro për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgatën gjatë sezonit veror. Qeveria miratoi 3 milionë euro për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgatën gjatë sezonit veror. Nga korriku e tutje, mërgimtarët që hyjnë në Kosovë me vetura nuk do të përballen me këtë kosto shtesë, pasi ajo do mbulohet nga shteti në kuadër të zbatimit të masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”, ka shkruar ministrja në detyrë.
Gërvalla ka shtuar se mërgata jonë ka qenë pjesë e pandashme e çdo etape të shtetndërtimit të Kosovës, nga sakrifica për liri, te shpallja e pavarësisë, e deri te forcimi i institucioneve dhe zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit.
“Kjo masë është shprehje e respektit të jashtëzakonshëm të shtetit ndaj këtij roli historik dhe të vazhdueshëm tuajin. Është një mënyrë për t’ua lehtësuar rrugën drejt shtëpisë dhe për t’ua thënë qartë, Kosova ju pret gjithmonë si pjesë të pandashme të saj. Bashkatdhetarë, mirë se vini në shtëpinë tuaj. Kosova do t’ju mbajë gjithmonë ngrohtësisht në zemër", ka shkruar Gërvalla.