Qeveria miraton financimin e katër projekteve infrastrukturore në Mitrovicë, Fushë- Kosovë, Graçanicë dhe Obiliq
Qeveria në detyrë ka miratuar sot financimin e katër projekteve infrastrukturore që do të realizohen në komunat e Mitrovicës, Fushë-Kosovës, Graçanicës dhe Obiliqit.
Sipas vendimit të miratuar, janë alokuar mjete financiare për investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
Në Komunën e Mitrovicës do të investohen 500 mijë euro për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Bajgorë, Rashan, Terstenë, Kutllofc dhe Vllahi.
Ndërkaq, në Komunën e Fushë Kosovës do të financohet rehabilitimi i segmentit të rrugës “Agron Rrahmani”, projekt ky që realizohet në bashkëpunim me Komunën e Graçanicës.
Edhe në Komunën e Graçanicës është paraparë financimi i rehabilitimit të rrugës Uglari, në kuadër të të njëjtit projekt të përbashkët me Fushë Kosovën, me vlerë totale prej 200 mijë eurosh.
Po ashtu, në Komunën e Obiliqit do të investohen 450 mijë euro për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrugës që lidh Plemetinin me Hamidin dhe Sibocin, si dhe për ndërtimin e sistemit të ndriçimit publik.
Qeveria vlerëson se këto investime do të kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës lokale, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më të mira për jetën e qytetarëve në këto komuna./Zëri