40 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK-ja bën thirrje për vaksinim të fëmijëve
Foto: Ilustrim

40 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK-ja bën thirrje për vaksinim të fëmijëve

Aktuale June 22, 2026 - 15:23

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 22 qershor 2026 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 40 raste të konfirmuara me fruth.

Sipas të dhënave zyrtare, shpërndarja e rasteve sipas komunave paraqitet si vijon: Ferizaj prin me 11 raste, Prishtina me 9, Kaçaniku me 6, Fushë-Kosova me 3, ndërsa Lipjani, Vushtrria, Shtime dhe Obiliqi kanë nga 2 raste secila. Gjithashtu, nga një rast është raportuar në Gjilan, Drenas dhe Deçan.

IKSHPK-ja u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë dhe konjuktivit.

“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKSHPK-ja u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thotë IKSHPK-ja.