Protestat në Tiranë, Rama: Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale sa i takon protestës masive që u zhvillua të shtunën, 20 qershor, në kryeqytet.
Duke iu referuar postimit të bërë nga një qytetare, ai shkruan se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë, por qytetarë të një shteti fqinj, si pjesë shtetformuese së bashku me maqedonasit. Sipas tij, e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët e Kosovës, pasi ata kanë shtetin e tyre të pavarur.
Në fund të postimit, Rama sqaron se reagimi i tij nuk lidhet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, nënvizon ai.