Dy vajza nga Kamenica humbin jetën në një aksident në Gjermani, Rahimaj: Bashkëndjejmë dhimbjen me familjen Zubaku
Dy motrat, E.Z. dhe A.Z., nga Topanica e Kamenicës, kanë humbur jetën tragjikisht pas një aksidenti të rëndë që ndodhi të shtunën në Gjermani.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka shprehur ngushëllime për familjen për këtë tragjedi.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Rahimaj ka thënë se lajmi ka prekur rëndë komunën dhe gjithë komunitetin.
“Mëngjes i trishtë për Kamenicën. I prekur nga lajmi për aksidentin e rëndë që ka ndodhur në Gjermani, ku humbën jetën dy vajzat e Familjes Zubaku nga Topanica e Kamenicës”, ka shkruar Rahimaj.
Ai ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit, duke theksuar bashkëndjenjën në këtë moment të rëndë.
“Në këto momente të rënda për familjen, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe bashkëndiejmë me ju për dhimbjen që po e përjetoni. Ngushëllime edhe për miqtë dhe të gjithë ata që i njohën”, ka shkruar tutje ai.
Kryetari Rahimaj ka theksuar se përballimi i kësaj humbjeje kërkon forcë dhe durim.
“Duhet forcë, durim e kurajo për përballimin e kësaj humbjeje të madhe. Ngushëllime e qoftë i përhershëm kujtimi për to”, përfundon reagimi i tij.