Java e dhurimit të gjakut mobilizon qytetarët në mbarë vendin
Java e dhurimit vullnetar të gjakut, edhe sivjet, po zhvillohet në disa qendra të vendit, duke nisur nga 11 qershori, për t`u përmbyllur më 18 qershor. Nën moton për t`u ndihmuar atyre që kanë më së shumti nevojë, dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme i janë përgjigjur thirrjes për solidaritet. Kjo javë është pjesë e shënimit të 14 qershorit, Ditës Botërore të Gjakut.
Dhurimin e gjakut qytetarët po e vlerësojnë të rëndësishëm e jetik për ata që kanë nevojë, andaj edhe nuk po hezitojnë ta bëjnë këtë. Madje një qytetar thotë se, përveç për t'u dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë për gjak, këtë po e bën edhe në shënim të Ditës së Çlirimit të Kosovës.
“Arsyeja është për shpëtimin e jetës së njerëzve dhe të jemi të gatshëm në çdo kohë me jep kur kemi mundësi, si dhe simbolika e dytë është për shkak të ditës së çlirimit të Kosovës”, tha një dhurues i gjakut.
Kishte prej atyre që dhurimin e gjakut e bëjnë shpesh, në mënyrë që të kontribuojnë sa më shumë për ata që kanë nevojë.
“Është shumë e rëndësishme sepse një dhurim i gjakut shpëton jetë. Unë e kam praktike këtë së paku 2-3 herë në vit, sidomos në kohën kur është këtu në shesh vazhdimisht e bëjmë dhurimin”, tha një tjetër qytetar.
Ky aksion do të zhvillohet edhe në qytete të tjera, jo vetëm në Prishtinë, derisa u theksua se kjo javë shërben si një mundësi për ta rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë jetike të dhurimit të gjakut.
“Motoja e dhurimit vullnetar të gjakut, është dhuro gjak, shpëto jetë. Këtu shihet edhe rëndësia e madhe që është për të dhuruar gjak, se duke dhuruar gjak, shpëtohen edhe shumë jetë të njerëzve”, tha Merita Morina Bujupi specialiste e tranfuziologjisë.
Ky aksion, që po zhvillohet nga 11 deri më 18 qershor, po bëhet në shënim të 14-qershorit Ditës Botërore të Dhuruesit të Gjakut./rtk