Euronews: Protestat për projektet në Zvërnec dhe Sazan, Rama ngre shqetësimin për ndikime të jashtme
Foto: Laura Hasani

Euronews: Protestat për projektet në Zvërnec dhe Sazan, Rama ngre shqetësimin për ndikime të jashtme

Aktuale June 13, 2026 - 19:41

Protesta kundër projekteve të zhvillimit të turizmit në  Zvërnec dhe ishullin e Sazanit kanë ndezur më tepër se një debat politik dhe mjedisor, sipas Euronews.

Çështja është shndërruar në një ngërç të madh diplomatik mes Shqipërisë dhe Iranit. Ndërsa mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër këtyre projekteve, që kryesohen nga kompania e Jared Kushnerit, kryeministri Edi Rama tha se pjesë e fushatës në internet dhe narrativa që nxisin protestat është në fakt një luftë hibride kundër Shqipërisë.

Sipas Ramës “ka vetëm një aktor dashakeq, që është Irani. Kjo është diçka që e dimë me fakte. S’kam thënë kurrë dhe nuk them që e shpiku Irani, por po them që Irani u hodh menjëherë në veprim në këtë histori. Prej disa vitesh tashmë, ne jemi në një luftë kibernetike me Iranin”.

Kryeministri e lidh këtë fushatë me aktorë, të cilët ai deklaron se duan ta sulmojnë Shqipërinë aty ku i dhemb më shumë. Konkretisht, ai vuri në dukje Iranin, një vend me të cilin Shqipëria ka pasur një mosmarrëveshje të thellë diplomatike për vite me radhë, pas sulmeve të mëdha kibernetike kundër institucioneve shtetërore të Shqipërisë.

Akuzat e Tiranës u kundërshtuan menjëherë nga Teherani. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit shqiptar, duke i konsideruar ato si të pabaza. Në reagimin e tij publik, Baqaei i përqeshi akuzat për një luftë hibride dhe i kërkoi Ramës që të respektojë gjykimin e qytetarëve shqiptarë, duke argumentuar se protestat ishin rezultat i një pakënaqësie të brendshme dhe jo i ndikimit iranian.

Në qendër të debatit janë gjithashtu edhe dhjetëra materiale të shpërndara në TikTok, Facebook dhe platforma të tjera të medieve sociale. Protestuesit argumentojnë që kundërshtimi i tyre ka të bëjë me shqetësimet reale lidhur me mjedisin, transparencën dhe menaxhimin e aseteve publike, por protesta e tyre civile po shfrytëzohet nga aktorë të huaj për një operacion të vërtetë. Për këtë, Euronews bisedoi me Christopher S. Hyland, një ekspert amerikan i sigurisë dhe diplomacisë.

”Nuk ka dyshim që në Shqipëri sot po ndodh një luftë hibride. Por së pari, duhet të kuptojmë se çfarë është lufta hibride? Është përdorimi i shumë elementëve, të tilla si lufta kibernetike, dezinformimi, gërryerja ekonomike, taktika të sabotazhit dhe shumë elementë të tjerë për të dëmtuar në një situatë të caktuar.

Në rastin e Shqipërisë janë pyetje të sinqerta të justifikueshme që janë bërë nga qytetarë të të gjitha llojeve, por ato pyetje, me ndihmën e luftës hibride, luftës kibernetike dhe të gjithë ata personazhet dashakeqës, që i kryejnë këto, ato po shndërrohen në çështje dhe situata që, thënë hapur, janë të tmerrshme. Një shembull i qartë është ai refreni që është përsëritur në media: “Shqipëria është vetëm për shqiptarët”! Kjo është shumë e ngjashme me thënien e përdorur nga komunistët shumë dekada më parë për vendosjen e njërës prej diktaturave më brutale, që kishte parë ndonjëherë Evropa.

Dhe ajo diktaturë ishte pikërisht në Shqipëri. Pra jemi në një situatë shumë të rrezikshme, nës disa prej personaliteteve që po shfaqen në ekranet e televizorëve në Evropë dhe në Amerikë janë individë realë, të cilët në fakt po mbrojnë rikthimin e regjimit komunist shtypës.

Mos u gaboni. Dua të përsëris. Po, ka shqetësime lidhur me mjedisin. Po e përsëris: po, ka shqetësime për ruajtjen e mjedisit. Por t’i transformosh ato në sloganin “Shqipëria vetëm për shqiptarët”, t’i shndërrosh në thirrje kundër investimeve në Shqipëri dhe të fillosh të kritikosh, apo të veprosh me paragjykim ndaj besimeve fetare të individëve që janë partnerë në një investim prej katër miliardë dollarësh në Shqipëri, është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Ajo që kemi parë gjatë gjithë shekullit XX, veçanërisht me nazistët, fashistët dhe komunistët, është se këto grupe, sapo marrin pushtetin, thjesht shkatërrojnë. Nuk ka gëzim, nuk ka dashuri. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse Shqipëria po përballet aktualisht me një sulm propagandistik dhe të luftës hibride që është shumë i rrezikshëm për vetë mbijetesën e shoqërive të lira, demokratike dhe me ekonomi të përzier”, sipas Hyland./atsh