SHSKUK-u mirëpret raportin e Auditimit nga ZKA-ja
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), njofton se mirëpret Raportin e Auditimit për vitin 2025 dhe vlerëson rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në forcimin e transparencës.
"Lidhur me produktet e evidentuara me afat të skaduar, sqarojmë se ato nuk janë barna, janë uniforma të cilat nuk janë pranuat me afat të skaduar, por janë rezerva të pandemisë, që nuk janë përdorur dhe kanë arritur afatin e përdorimit. Këto produkte janë larguar nga sistemi dhe rekomandimet për këtë çështje janë implementuar", njofton SHSKUK.
SHSKUK konsideron të rëndësishme të theksojë se raporti nuk ka identifikuar raste të keqpërdorimit të mjeteve publike, dëmtimit të buxhetit, përfitimeve të kundërligjshme apo humbjeve financiare për institucionin. Gjetjet e evidentuara lidhen kryesisht me çështje teknike, procedurale dhe të raportimit financiar.
Si një nga organizatat buxhetore më të mëdha në vend, me afër 8,000 punonjës, mbi 10 milionë shërbime shëndetësore të ofruara gjatë vitit dhe një buxhet vjetor prej rreth 200 milionë eurosh, SHSKUK menaxhon një sistem kompleks që përfshin QKUK-në, spitalet e përgjithshme, institucionet e shëndetit mendor dhe njësitë e tjera përbërëse. Pavarësisht kompleksitetit të këtij sistemi, gjetjet e auditorit kanë të bëjnë kryesisht me përmirësime administrative dhe teknike, e jo me keqmenaxhim financiar apo dëmtim të buxhetit.
"Menjëherë pas pranimit të draft-raportit të auditimit, SHSKUK ka filluar implementimin e rekomandimeve dhe ka ndërmarrë veprime konkrete për adresimin e tyre", njofton SHSKUK.
Lidhur me menaxhimin e pasurive, janë harmonizuar dhe përditësuar evidencat përkatëse, ndërsa është forcuar koordinimi ndërmjet njësive përgjegjëse. Një pjesë e rekomandimeve tashmë janë implementuar.
"Për klasifikimin e shpenzimeve dhe raportimin financiar, janë rishikuar procedurat e brendshme, janë dhënë udhëzime shtesë për stafin financiar dhe janë vendosur kontrolle shtesë për të siguruar raportim më të saktë financiar. Implementimi i rekomandimeve ka filluar dhe po vazhdon sipas planit të veprimit", thuhet në njoftim.
Për detyrimet kontingjente është iniciuar harmonizimi i evidencave me Zyrën Ligjore dhe është vendosur rishikim periodik i kontesteve gjyqësore. Procesi i implementimit tashmë është në zhvillim.
Sa i përket pasurisë për të cilën është evidentuar mungesë e dëshmisë së ekzistencës fizike, rasti ndodhet në trajtim nga organet kompetente të drejtësisë. SHSKUK vazhdon bashkëpunimin e plotë me institucionet përgjegjëse, ndërsa paralelisht janë forcuar mekanizmat e kontrollit të pasurive.
Në lidhje me pozitat drejtuese të mbuluara me ushtrues detyre, SHSKUK ka filluar procedurat për shpalljen e konkurseve dhe plotësimin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.
"Lidhur me vonesat në pagesën e faturave, theksojmë se ato kanë ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së kërkesave për furnizime në fund të vitit fiskal, nevojës për sigurimin e rezervave për tremujorin e parë të vitit pasues, si dhe rritjes së vazhdueshme të shërbimeve shëndetësore. Megjithatë, janë ndërmarrë masa konkrete për monitorim më të mirë të detyrimeve financiare dhe planifikim më efikas të pagesave. Implementimi i rekomandimeve ka filluar menjëherë dhe një pjesë e masave tashmë janë zbatuar", thuhet në njoftim.
SHSKUK mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike dhe zbatimit të plotë të rekomandimeve të auditorit. Një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve tashmë janë implementuar, ndërsa pjesa tjetër është në proces zbatimi.