Komuna e Prishtinës sqaron taksën rrugore: S’do të paguhen 10 euro, por 1 deri 2 euro për hyrje në kryeqytet
Komuna e Prishtinës ka sqaruar se taksa rrugore që po planifikohet për automjetet e regjistruara jashtë kryeqytetit nuk do të jetë 10 euro për çdo qytetar që hyn me veturë në Prishtinë.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, deklaroi për RTV21 se masa e propozuar do të zbatohet vetëm për zonën qendrore të qytetit dhe jo për hyrjet në Prishtinë.
Ai mohoi pretendimet se të gjithë qytetarët që vijnë nga komunat e tjera do të detyrohen të paguajnë 10 euro për hyrje në kryeqytet.
“Në këtë fazë pritet që vetëm zona qendër të ketë një taksë për hyrjen e veturave që nuk janë të regjistruara në Prishtinë. Taksa, siç e keni dëgjuar edhe nga kryetari, do të jetë 1 ose 2 euro. Ndërsa për kamionët apo autobusët e vjetër, që shkaktojnë ndotje të madhe, do të ketë taksa pothuajse ndëshkuese”, ka thënë Braha.
Sipas tij, qytetarët do të vazhdojnë të kenë lëvizje të lirë në kryeqytet, ndërsa tarifimi do të kufizohet vetëm në një zonë të caktuar të qytetit, me qëllim të menaxhimit të trafikut dhe ndotjes së ajrit.
Debati për vendosjen e taksës rrugore është intensifikuar ditët e fundit pas deklaratave të kryetarit të Prishtina, Përparim Rama, lidhur me planet për tarifimin e automjeteve që hyjnë në pjesën qendrore të kryeqytetit.