Kurti: Gjatë këtij viti pritet të përfundojnë projektet e konservimit të kullave të Jasharëve
Në Prishtinë u prezantua ecuria e hartimit të Master-Planit për kompleksin memorial “Adem Jashari” një projekt i konsideruar me rëndësi të veçantë për kujtesën historike dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Në këtë prezantim mori pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ekspertë të fushës së arkitekturës dhe anëtarë të grupit menaxhues të projektit.
Kurti vlerësoi se Prekazi mban një vend qendror në identitetin historik të Kosovës, duke theksuar se sakrifica e familjes Jashari e ka shndërruar atë në simbol të qëndresës dhe lirisë. Sipas tij, trajtimi i kompleksit memorial nuk përbën vetëm një proces teknik të planifikimit apo konservimit, por një përgjegjësi institucionale për ruajtjen dhe transmetimin e kësaj trashëgimie te gjeneratat e ardhshme.
Ai theksoi se që nga themelimi i Komitetit Ndërministror janë ndërmarrë hapa të shumtë për ndërtimin e bazës profesionale të projektit, përfshirë studime dhe një konkurs ndërkombëtar për hartimin e Master Planit, me synimin për të siguruar standarde të larta profesionale në realizim.
Në kuadër të zhvillimeve, u bë e ditur se projekti po avancon sipas planit dinamik dhe se dokumentet e deritanishme dëshmojnë nivel të kënaqshëm profesional. Parashikohet që gjatë këtij viti të përfundojnë projektet e konservimit të Kullave të Rezistencës, duke hapur rrugë për fillimin e procedurave të prokurimit për fazën e zbatimit në terren.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, si dhe zëvendësministrja Nora Arapi Krasniqi.
Projekti u prezantua edhe nga ekipi hartues ndërkombëtar, i udhëhequr nga arkitekti Eckhard Gerber, si dhe përfaqësues të tjerë të angazhuar në procesin e hartimit të Master Planit.
Autoritetet theksuan se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për sigurimin e kushteve institucionale, profesionale dhe financiare për përmbylljen me sukses të projektit, i cili synon ruajtjen dhe valorizimin e një prej vendeve më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës në Prishtina dhe më gjerë. /Zëri