Si funksionoi Zona e Pashtrikut, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar?

Si funksionoi Zona e Pashtrikut, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar?

Aktuale June 03, 2026 - 15:45

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në dosjen e saj përfundimtare në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, thotë që nga pranvera e vitit 1998, UÇK-ja filloi organizimin dhe zgjerimin e njësive të saj në zonën që më vonë u quajt Zona e Pashtrikut.

Pas ardhjes së anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe LPK-së në Kosovë, në mars 1998, rekrutë dhe bashkëpunëtorë të besuar u vendosën në vende të ndryshme të kësaj zone, sipas Prokurorisë.

Ndërsa sa i përket të akuzuarve, Prokuroria thotë se Rexhep Selimi ishte i angazhuar në organizimin e mbrojtjes së zonës së Malishevës dhe në koordinimin e njësive lokale.

Kurse, sipas Prokurorisë, Fatmir Limaj mbante kontakte të rregullta me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe ndihmoi në paraqitjen publike të Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së në Kleçkë.

Shprehimisht, në dosje thuhet se gjatë majit dhe qershorit 1998, UÇK-ja arriti të shpallte disa “zona të lira”, përfshirë Malishevën dhe Budakovën. Këto zona, thuhet se konsideroheshin nën kontrollin e UÇK-së dhe mundësonin lëvizjen e lirë të njerëzve dhe furnizimeve.

Sipas Prokurorisë, në qershor 1998, Shtabi i Përgjithshëm vazhdoi përpjekjet për bashkimin dhe forcimin e njësive. Bislim Zyrapi u dërgua nga Selimi dhe Sokol Bashota në disa zona për të koordinuar dhe unifikuar formacionet lokale. Në Malishevë, njësitë “Çeliku” dhe “Lumi” u bashkuan nën autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm. Ndërsa, Musë Jashari u emërua komandant i Shtabit Operativ Lokal në Malishevë dhe, së bashku me Selimin, ndihmoi në organizimin e njësive në Zonën e Pashtrikut.

Ndërsa, thuhet se në fund të qershorit 1998, Zyrapi u dërgua edhe në rajonin e Prizrenit për të krijuar një shtab lokal me seli në Jeshkovë.

Kurse, për komandantët lokalë, u tha se menaxhonin dhe shpërndanin armët dhe furnizimet, lëshonin leje për lëvizje dhe udhëtim, mbanin evidenca për anëtarët, armët dhe detyrat e tyre si dhe parashihnin se mosbindja do të çonte në masa disiplinore.

Prokuroria thotë se në korrik 1998, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi zhvilluan takime me përfaqësues ndërkombëtarë në Kleçkë dhe Malishevë, me ndihmën e figurave kyçe nga Pashtriku si Fatmir Limaj dhe Gani Krasniqi.

Pretendimet e Prokurorisë që Abdyl Rama u rrah nga Thaçi

Sipas Prokurorisë, nga qershori i vitit 1998 disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm u përfshinë edhe në veprime kundër kundërshtarëve politikë, veçanërisht ndaj drejtuesve të LDK-së në Suharekë dhe zona të tjera.

Një rast i përmendur lidhet me Abdyl Ramën dhe një person tjetër që ishte përfaqësues të LDK-së në Suharekë. Ata thuhet se u dërguan tek Hashim Thaçi në selinë e UÇK-së në Breshanc, ku, sipas pretendimeve të Prokurorisë, u kërkua të jepnin dorëheqje nga funksionet e tyre në LDK dhe të deklaronin publikisht mbështetje për UÇK-në. I pranishëm thuhet se ishte edhe Ukë Bytyqi, që atëherë ishte kryetar i degës së LDK-së në Suharekë.

Prokuroria thotë që sipas dëshmisë së Nuhi Bytyqit, atmosfera ishte e tensionuar. Ndërsa, pretendon se Ukë Bytyqi pranoi të lexonte deklarata të përgatitura paraprakisht me udhëzimet e Thaçit, ndërsa Abdyl Rama refuzoi.

Pjesë të mëtejshme të ngjarjes mbeten të redaktuara në dokument, por Prokuroria pretendon se provat e disponueshme mbështesin përfundimin se Rama u keqtrajtua fizikisht gjatë këtij incidenti nga ana e Thaçit.

“[REDAKTUAR], [REDAKTUAR] të mbështetura nga videoja e deklaratës së përgatitur, rrëfimi i publikuar i Nuhi BYTYQIT dhe informacioni i ndarë me [REDAKTUAR]. Më tej, natyra e [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], mbështesin përfundimin se [REDAKTUAR] RAMA u rrah nga THAÇI [REDAKTUAR]”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në këtë zonë, Prokuroria thotë se zhvillimi i brigadave të UÇK-së filloi në qershor dhe korrik 1998, ndërsa emërimet e komandantëve miratoheshin nga Shtabi i Përgjithshëm. Pas një mbledhjeje të mbajtur më 16-17 gusht 1998, thuhet se u vendos një strukturë më e organizuar ushtarake, ku njësitë ekzistuese u bashkuan në brigada dhe u ndanë në batalione, kompani dhe toga, ndërkaq Musë Jashari u emërua zyrtarisht komandant i Zonës së Pashtrikut.

Sipas Prokurorisë, formalizimi i mëtejshëm i strukturave të zonës dhe brigadave, riorganizimi dhe zgjerimi vazhduan gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998, sipas udhëzimeve të Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë ato të Thaçit, Limajt, Krasniqit dhe Selimit.

Brigadat e Zonës së Pashtrikut dhe funksionimi i tyre

Në këtë zonë thuhet se vepronin Brigadat 121, 122, 123, 124 dhe 125.

Sipas Prokurorisë, Brigada 121 me seli në Kleçkë (vend ku pretendohet se kanë ndodhur krime) e që përfshinte Llapushnikun dhe një pjesë të Malishevës, drejtohej nga Fatmir Limaj deri në tetor 1998, kur komandën e mori Haxhi Shala pas emërimit të Limajt si drejtor i Drejtorisë së Policisë Ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm.

Ndërsa Brigada 122, sipas Prokurorisë, vepronte në zonën e Dragobilit dhe komandohej në periudha të ndryshme nga Vesel Maliqi, Tahir Sinani dhe Vllaznim Kryeziu.

Brigada 123, me seli në Breshanc, thuhet se u krijua nga bashkimi i njësive të UÇK-së në Suharekë dhe pati disa komandantë gjatë luftës. Fillimisht, thuhet se e komandoi Blerim Kuqi më pas Kurtesh Fondaj, pasuar me Nexhmedin Kastratin dhe më vonë nga Gëzim Hazrolli.

Kurse, batalioni i dytë i kësaj brigade i njohur si ai i Budakovës ishte i vendosur në Budakovë (vend ku pretendohet se kanë ndodhur krime), thuhej se udhëhiqej nga Sadik Halitjaha.

Më pas, thuhet se Brigada 124 me bazë në Reti, drejtohej nga Skender Hoxha, ndërsa Brigada 125, me seli fillimisht në Jeshkovë (vend ku pretendohet se kanë ndodhur krime), u drejtua nga Drini pas vdekjes së Remzi Ademajt dhe më vonë nga Nehat Basha i cili ishte emëruar pas një takimi në komandën e zonës nga Limaj dhe Selimi. Thuhet se Brigadat ishin në vartësi të komandës së Zonës Operative të Pashtrikut, por mund të merrnin urdhra edhe drejtpërdrejt nga Shtabi i Përgjithshëm.

Policia Ushtarake e Zonës së Pashtrikut, sipas Prokurorisë

Përveç batalioneve të shumta, Prokuroria pretendon se Brigadat 121-125 kishin të gjitha njësi të Policisë Ushtarake dhe të inteligjencës, të integruara në strukturën e tyre organizative.

Nexhmi Krasniqi pretendohet se komandonte Policinë Ushtarake brenda Brigadës 121, i ndihmuar nga Naser Krasniqi dhe i raportonte drejtpërdrejt Limaj.

“Nexhmi KRASNIQI dhe LIMAJ u ngritën në këto pozita pavarësisht përfshirjes së tyre të mëparshme në krimet e kryera në Llapushnik, Malishevë dhe Kleçkë gjatë verës së vitit 1998”, thuhet në dosje.

Në Brigadën 125, aktivitete të tilla thuhet se bënin Xhevat Berisha i njohur edhe si Sokoli, Ismail Kryeziu, Elbasam Shoshaj dhe Safet Krasniqi, e të cilët i raportonin drejtpërdrejt Shtabit. Thuhet se brenda Brigadës 123, Batalioni i Budakovës kishte Policinë e vet Ushtarake, me bazë në Semetishtë dhe se anëtarët e kësaj njësie ishin të përfshirë drejtpërdrejt në ndalimin dhe keqtrajtimin e civilëve.

“Veçmas këtyre brigadave, [REDAKTUAR] ekzistonte një njësi speciale që i raportonte drejtpërdrejt Shtabit të Përgjithshëm. Kjo njësi u krijua në fund të nëntorit 1998 në Budakovë; 65 anëtarët e saj kishin për detyrë “të zbatonin urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm, të gjallë ose të vdekur”. E autorizuar të lëvizte nëpër territorin e kontrolluar nga UÇK-ja, kjo njësi kryente misione zbulimi dhe ndihmonte njësitë e tjera të UÇK-së. Më vonë, kjo njësi u bashkua me një njësi tjetër speciale nën komandantin Guri, e cila gjithashtu ishte në vartësi të Shtabit të Përgjithshëm”, thuhet në dosje.

Masat e UÇK-së ndaj personave që perceptoheshin si kolaboracionistë, sipas Prokurorisë

Prokuroria pretendon se në tetor 1998, Selman Biniqi dhe Ramiz Hoxha u rrëmbyen në Bellanicë nga ushtarë të UÇK-së të veshur me uniforma të zeza dhe me shenjën “PU”. Thuhet se pranë vendit të ngjarjes u gjet një dokument i shkruar me dorë, i paraqitur si “urdhër-ekzekutimi” nga “policia sekrete e UÇK-së”. Në të, sipas Prokurorisë, thuhej se Ramiz Hoxha ishte dënuar me vdekje si “tradhtar” për bashkëpunim me armikun dhe për përhapje të propagandës, duke paralajmëruar edhe persona të tjerë me të njëjtin fat.

Më vonë, Prokuroria pretendon se Drejtoria e Policisë Ushtarake e Shtabit të Përgjithshëm mori përgjegjësinë për këto ngjarje në një komunikatë për shtyp.

Në rrjedhje të argumenteve të veta, Prokuroria thotë se në dhjetor 1998, Krasniqi i kërkoi W04403- e që është kodi për Naim Malokun, t’i shoqëronte Haxhi Shalën dhe Shaban Dragajn në Bellanicë për ta prezantuar Shalën si komandant të ri të Brigadës 121. Në atë takim, thuhet se banorët akuzuan UÇK-në për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Biniqit.

Tutje, thuhet se Naim Maloku nuk e trajtoi më tej çështjen në vend, duke thënë se ishte përgjegjësi e komandantit të brigadës dhe Gjykatës Ushtarake në Divjakë, por më pas e raportoi rastin tek eprori i tij - Sali Veseli, në Drejtorinë Operative të Shtabit të Përgjithshëm.

Më pas, Prokuroria vazhdon duke thënë se pas ngritjes së Musë Jasharit në Shtabin e Përgjithshëm si shef i ndërlidhjes, Shtabi emëroi Drinin si Komandant të Zonës së Pashtrikut në dhjetor 1998. Ndërsa, thuhet se gjatë gjithë fillimit të vitit 1999, Shtabi i Përgjithshëm shfaqi mosbesim në rritje ndaj ish-ushtarakëve profesionistë dhe ndaj atyre që konsideroheshin të lidhur me LDK-në ose FARK-un.

Veç kësaj, thuhet se Shtabi i Zonës, duke përfshirë Sadik Halitjahën dhe Halil Qadrakun- ushqeu më tej këto dyshime duke dërguar letra drejtpërdrejt te Shtabi i Përgjithshëm, ku akuzonin ushtarakë profesionistë, përfshirë anëtarë të vet Shtabit të zonës dhe komandantë brigadash, se po pengonin zinxhirin komandues dhe po mbanin lidhje të ngushta me FARK-un dhe Qeverinë në ekzil.

Ndërsa, nevojën për objekte burgu në këtë zonë, thuhet se Qadraku dhe Halitjaha e theksuan në mënyrë specifike. Kjo pretendohet se vërtetohet nga një letër e 14 marsit 1999 e hartuar nga këta dy persona e që u përgatit në kohën e takimeve në Nishor kur merrnin pjesë përveç tyre edhe Kadri Veseli e Nezir Çoçaj si zëvendëskomandant i ZKZ-së.

Sipas Prokurorisë, komandantët që ranë nën dyshim, u zëvendësuan me besnikë të LPK-së, duke përmendur faktin se në mars të 1999-ës, Komandant Drini u zëvendësua me Tahir Sinanin, ndërsa Sadik Halitjaha ishe emëruar si komandant duke zëvendësuar Sylejman Kllokoqin.

Po ashtu, thuhet se edhe komandanti i Brigadës 123, Blerim Kuqi, i cili dy muaj më herët- në janar 1999, ishte thirrur në selinë e Shtabit të Përgjithshëm në Kleçkë, ishte arrestuar, akuzuar për tradhti dhe burgosur.

Nga Qadraku dhe Halitjaha, thuhet se në pranverën e vitit 1999 u krijua edhe njësia speciale “Syri i Shqiponjës”, e cila përbëhej nga pjesëtarë të Policisë Ushtarake dhe inteligjencës duke përfshirë Nezir Kryezin dhe Ilaz Kadollin. Prokuroria thotë se kjo njësi raportonte te komandanti i zonës- Tahir Sinani dhe në fund te Shtabi i Përgjithshëm, përfshirë Rexhep Selimin.

Çfarë pretendohet se ndodhi në verën 1999 me Zonën e Pashtrikut dhe brigadat e saj?

Në mesin e qershorit 1999, ndërsa forcat serbe po tërhiqeshin nga Kosova, pjesëtarë të Brigadave 123, 124, 125 dhe 128 u vendosën në Prizren dhe rrethinë, sipas Prokurorisë. Në të njëjtën kohë, thuhet se KFOR-i hyri në Prizren dhe brenda pak ditësh filloi të vendoste rendin dhe sigurinë.

Komanda e Zonës së Pashtrikut, së bashku me strukturat e inteligjencës dhe Policinë Ushtarake, sipas Prokurorisë, u zhvendos në Prizren, ndërsa brigadat morën nën kontroll ndërtesa komunale, shkolla, konvikte dhe objekte të tjera, disa prej të cilave u përdorën si vende ndalimi.

“Komanda e zonës ishte e vendosur kryesisht në ndërtesën e komunës dhe në konviktet aty pranë, dhe aty komandantët e brigadave raportonin dhe takoheshin me shtabin në baza javore. Takimet ndërmjet komandës së zonës dhe Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë SELIMIN, THAÇIN, LIMAJN dhe Bislim ZYRAPIN, zhvilloheshin në Hotel Theranda”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Më tej, thuhet se ashtu si në zonat e tjera të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm veproi shpejt për të vendosur kontroll mbi administratën civile në Zonën e Pashtrikut duke emëruar persona besnikë ndaj Shtabit të Përgjithshëm në pozita kyçe.

Si shembull u mor emërimi i Kadri Kryeziut në krye të Prizrenit që sipas Prokurorisë u bë në përputhje me direktivat e nxjerra nga Thaçi në cilësinë e kryeministrit të Kosovës.

“Në mënyrë të ngjashme, pas përfshirjes së saj në krimet e kryera në Suharekë rreth datës 13 qershor 1999, njësia “Syri i Shqiponjës” u zhvendos në Prizren, ku u integrua zyrtarisht në Policinë Ushtarake. Komandanti i Policisë Ushtarake të zonës, Nexhmi KRASNIQI, u emërua më pas komandant i policisë së Prizrenit dhe, së bashku me ish-anëtarë të Policisë Ushtarake në nivel zone dhe ushtarë të tjerë, drejtoi policinë e Ministrisë së Rendit Publik nën urdhrat e drejtpërdrejtë të SELIMIT në cilësinë e Ministrit të Rendit Publik të QPK-së”, thuhet në dosje.

Po ashtu, thuhet se Policia Ushtarake e UÇK-së vazhdoi të shënjestronte, ndalonte dhe merrte në pyetje personat e perceptuar si kundërshtarë e që për këto gjera pretendohet se ishin në dijeni, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Bisilim Zyrapi. Thuhet se për ngjarje të tilla ishin në dijeni edhe Tahir Sinani, Sadik Halitjaha, Halil Qadraku, Nexhmedin Krasniqi, Nezir Kryeziu dhe Agim Çeku.

“Betimi për Drejtësi” do të raportojë mbi detaje të tjera të dosjes përfundimtare të Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.

Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.

Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi