Basha: Nga 9 qershori hyn në fuqi udhëzimi për CKP-në, zhbllokohet certifikimi i shoferëve të transportit ndërkombëtar
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Certifikatën e Kompetencës Profesionale (CKP), i cili do të hyjë në fuqi më 9 qershor.
Sipas Bashës, që nga marrja e mandatit ai ka pranuar ankesa të shumta nga shoferët dhe operatorët e transportit ndërkombëtar lidhur me mungesën e një baze të qartë ligjore për lëshimin e CKP-së, situatë që, sipas tij, ka shkaktuar gjoba dhe vështirësi në kalimin e kufijve.
Ai tha se ministria ka trajtuar këtë çështje me prioritet, duke formuar një grup punues dhe duke angazhuar kapacitetet profesionale për hartimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore.
“Për këtë arsye, në kohë rekord kemi hartuar dhe finalizuar Udhëzimin Administrativ për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MMPHI) nr. 15/2024, të cilin e nënshkrova sot”, ka deklaruar Basha.
Sipas tij, me hyrjen në fuqi të udhëzimit javën e ardhshme do të zhbllokohet përfundimisht procesi i certifikimit të shoferëve fillestarë me Certifikatën e Kompetencës Profesionale (CKP), duke i dhënë fund pengesave që kanë shoqëruar këtë proces për një periudhë të gjatë.
Ministri në detyrë theksoi se vendimi pritet të lehtësojë punën e shoferëve të kamionëve dhe autobusëve që operojnë në transportin ndërkombëtar dhe të shmangë problemet me të cilat janë përballur gjatë kalimit të kufijve. /Zëri